Sesilia Plasari, letër ambasadorit të BE: Po shkatërrohen monumentet

0
596

Regjisorja Sesilia Plasari drejtuar me një letër të hapur ambasadorit të ri të BE-së, Luigi Soreca shkruan mes të tjerave se kryebashkiaku dhe të tjerë politikanë po orvaten të shkatërrojnë Teatrin Kombëtar, një monument me rëndësi kulturore.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës është nga ata politikanë që po orvaten të shkatërrojnë, përveç shkatërrimeve të tjera, ndërtesën e Teatrit Kombëtar, një monument me rëndësi kulturore dhe historike të shumëfishtë. Është një orvatje për të cilën kanë vënë në punë të gjitha mjetet, edhe ato më të mbrapshtat. Dhe janë mjete antikushtetuese në një situatë kur i njëjti pushtet e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese”, shkruan Plasari.

Më tej ajo vijon se për t’ia arritur këtij qëllimi edhe mjetet e përdorura nga kryebashkiaku kanë zbritur në nivelin më të padenjë. “Efuzionet e tij ndaj asaj pjese artistësh dhe qytetarësh, që nuk bien në të njëjtin mendim me të kanë qenë të një zhargoni aq rrugaçëror, sa do t’ju vrisnin veshin t’jua përktheja. Për to ai as ka ndër mend t’u kërkojë falje atyre njerëzve që u ka shpallur betejë-një kryetar bashkie, dhe të cilët ju ende nuk i keni dëgjuar. Nuk i keni dëgjuar sepse Shqipëria është një vend nën censurë: mediat nuk u japin zë për të shprehur indinjatën e tyre dhe për të informuar masivisht shoqërinë shqiptare atyre që nuk janë në një mendje me planin shkatërrues Veliaj & Rama”, shprehet Plasari.

Në letrën drejtuar ambasadorit të BE regjisorja Plasari vijon se ardhja e ambasadorit ka qenë inkurajim për artistët, që protestojnë.

“Prandaj, ju lutem, keni mirësinë dhe bëni që shoqëria shqiptare, e cila ka provuar këto vite më shumë se kurrë rrugët e kurbetit mund t’i verifikoni vetë shifrat e frikshme, të ndjehet më pak e zhgënjyer. Ju e dini më mirë se ne që Europa nuk mund t’i mbajë më të ikurit. Unë që po ju shkruaj kam qenë në Shqipëri regjisore dhe pedagoge. Pas 18 vjetësh studimesh dhe aktiviteti profesional në Francë, u ktheva të kontribuoja në atdhe, por m’u desh të largohem për së dyti, sepse pushteti i sotëm është pushtet barbar për artistët. Dhe sigurisht jo vetëm për ta. Si edhe sepse, në ndryshim nga kolegët e mi në Shqipëri, të cilët i kërcënojnë me bukën e gojës duke i detyruar të heshtin ose të konformohen, unë nuk heshta. Ata që nuk heshtin dhe nuk konformohen nuk kanë punë në Shqipëri. Eksperienca e Francës dhe mbrojtja që më jep ajo më detyrojnë të mos hesht, të mos konformohem, të flas edhe për ata që nuk munden, dhe t’ju shkruaj”, shkruan Plasari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here