Organet e reja të drejtësisë, KLP ngelet e bllokuar, rihapja e garës në dorë të Arta Markut.

    0
    461

    Situata në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë duket se vijon te jetë e koklavitur. Teksa u hap rruga për ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas shpalljes së garës nga ana e Gjykatës së Lartë, për kandidatë nga Gjykatat e Apelit të Rretheve ku aplikuan dy subjekte, nuk po ndodh e njëjta gjë me KLP-në. Situata për ngritjen e KLP vijon të jetë problematike. Nga 8 kandidatë që kaluan procesin e vetingut për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mungon kandidati nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Kjo për faktin se ligji në nenet 7 dhe 105 ka përcaktuar procedurën se si duhet të përzgjidhen anëtarët. Sa i takon KLP thuhet se nga 6 emra, 3 duhet të jenë prokurorë të Shkallës së Parë, ku duhet të ketë përfaqësues nga prokuroritë e Tiranës dhe nga ato të rretheve. 1 kandidatë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe 2 kandidatë duhet t’i përkasin Prokurorive të Apelit, ku 1 duhet të jetë nga prokuroritë e Tiranës dhe 1 nga rrethet. Prokurori Luan Kaloçi ishte i vetmi kandidat për KLP nga Apeli i Tiranës, por ai nuk mundi të kalonte procesin e vetingut. Kjo gjë ka bërë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të vijojë të jetë në ngërç duke mbajtur pezull ngritjen e prokurorisë speciale. Por edhe pse deri më tani mungon kandidati nga Apeli Tiranës, kryeprokurorja Arta Marku akoma nuk e ka rihapur garën për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi. Kjo sepse, sipas ligjit, ashtu si në rastin e KLGJ ku shortin e hodhi Gjykata e Lartë, për KLP përgjegjëse për shortin është Prokuroria e Tiranës. Ndonëse në proces rivlerësimi janë dhe disa subjekte nga radhët e prokurorisë, prokurorja Marku deri më tani nuk ka marrë asnjë lëvizje për të zgjidhur këtë ngërç. Detaj ky që tregon se kryeprokurorja po pret dhe vendimin e KPK ndaj këtyre subjekteve. Por kjo gjë nga ana tjetër ka bërë që edhe nëse KLGJ ngrihet, prokuroria speciale antikorrupsion do të sjellë vonesa pasi nuk do të mund të funksionojë. Sipas ligjit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedh prokurorët e prokurorisë speciale ndërsa KLGJ atë të gjyqtarëve. Pra vonesat që po shkaktohen në ngritjen e KLP pritet që të mbajnë pezull punën e prokurorisë speciale antikorrupsion e cila do t’i jap dhe goditjen përfundimtare korrupsionit në nivel zyrtarësh.

    Situata e krijuar

    Sa i takon kandidatëve për në KLGJ, e kanë kaluar vetingun 9 persona. Nga këta dy i përkasin gjykatave të Apelit brenda Tiranës, 6 të tjerë vijnë nga gjykatat e Shkallës së Parë dhe 1 i përket Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit përfaqësohet nga Medi Bici, i cili është i vetmi. Sa i takon përfaqësuesve të Shkallës së Parë, 5 janë nga brenda Tirane dhe 1 i përket Kurbinit, që do të thotë se është plotësuar kuota. Por krahas këtyre përfaqësuesve, dy subjekte të tjera kanë shfaqur interes pranë Gjykatës së Lartë nga ana e Gjykatave të Apelit në Rrethe. Ku njëri prej tyre, gjyqtarja Brikena Ukperaj e Gjykatës së Apelit Vlorë e ka kaluar procesin e vetingut. Ç’ka do të thotë se KLGJ shumë shpejt do të ngrihet dhe do të marrë jetë. Ndërsa sa i takon KLP, situata mbetet e vështirë pasi duhet përfaqësuesi nga Prokuroria e Apelit Tiranë. Por kjo gjë shkakton probleme në funksionimin e SPAK. Ligji e përcakton që ky organ ngrihet dy muaj pas ngritjes së KLGJ. Këshilli Gjyqësor ngrihet shumë shpejt dhe SPAK do jetë gati në fund të vitit. Por KLP duhet të bëjë emërimin e prokurorëve të saj dhe nëse ngërçi vijon, atëherë kjo do sjellë vështirësi.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here