Edi Rama: PS nuk u rrit me punësime të pamerituara si disa parti parazite, të pastrojmë administratën nga grabitqarët

0
476

 

Kryeministri Edi Rama ka thumbuar ditën e djeshme dy partitë më të mëdha të opozitës. Duke folur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, shefi i qeverisë deklaroi hapur se Partia Socialiste nuk është as LSI dhe as PD, që të rritet me punësime të pamerituara, pasi përmes tyre PS vetëm mund të rrëzohet. Në këtë kontekst, i pari i qeverisë u kujtoi gjithë të pranishmëve në sallë, se kush ka në kokë këtë, është tradhtar i misionit të PS-së. “Lidhja e atyre që themi kur shkojmë para njerëzve, me ato që bëjmë, duhet të jetë e pakontestueshme në çdo hap. Ne jemi e vetmja forcë politike që mund t’i japë këtij vendi atë që meriton. Por sot, kur jemi në fushën e betejës pa opozitë dhe kur kërcënohemi nga boshllëku dhe ideja që kemi në xhep fitoren dhe pushtetin, duhet të kuptojmë se pushtetin nuk e kemi marrë si kupë, por si përgjegjësi. Politika për ne nuk është ndeshje futbolli, por është mision. Partia Socialiste nuk u rrit me punësime të pamerituara. Përmes tyre, PS vetëm mund të rrëzohet. Partia Socialiste nuk u bë forca e vetme e shpresës dhe besimit, duke shpërdoruar pushtetin dhe ndarë tepsinë nëpër kushërinj, miq e shokë. Kush ka në kokë tepsinë është tradhtar i misionit të Partisë Socialiste. Kush ka në kokë tepsinë nuk ka kuptuar akoma që Partia Socialiste nuk është as Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk është as Partia Demokratike, nuk është asnjë nga ato bishtat e tjerë që ne i kemi të gjithë bashkë, kulaç, përballë”, deklaroi ai. Mirëpo, nuk ndalet me kaq, pasi kryeministri Edi Rama ka vijuar më tej me deklarata të forta në fjalimin e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PS. Ai u ndal mes të tjerash edhe te zotimi i mazhorancës, teksa deklaroi se është i vendosur për t’i dhënë fund “tepsisë” në administratë. “Nuk e meriton shumica e shqiptarëve. Nuk e meriton Partia Socialiste. Nuk e meriton pjesa dërrmuese e atyre që janë këtu të pranishëm, që të marrin kosto për hajdutë, për parazitë, për grabitqarë, për ordinerë, që janë akoma nëpër zyrat e shtetit, qofshin të trashëguar nga partitë e tepsisë, qofshin të futur rishtazi nga ata që këtu mes nesh kanë në kokë vetëm tepsinë. Ne duhet të rrimë drejtë, duhet të shohim drejtë e duhet të ecim drejtë. Jemi të vendosur për ta çuar tepsinë për skrap”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here