Ndërkombëtarët rrisin presionin ndaj opozitës për reformën në drejtësi, reporterët e KiE takojnë Kryemadhin

0
684

Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës ndodhen në Tiranë prej dy ditësh, ndërsa duket se kanë ardhur me një synim të qartë: të shohin ecurinë e reformës në drejtësi deri tani e t’i kërkojnë opozitës që të japë konsensusin për vijimin e saj. Ditën e djeshme, reporterët e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly zbarkuan në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’u takuar me kryetaren e kësaj partie, Monika Kryemadhi. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, gjatë takimit Kryemadhi e ndali theksin veçanërisht tek situata kriminale. Sipas saj, vend ndodhet në gjendje alarmi dhe në udhëkryq. Madje ajo nuk kurseu as sulmet ndaj reformës në drejtësi. “Mazhoranca dhe kryeministri kanë kapur reformën në drejtësi duke shkatërruar thelbin dhe qëllimin e reformës të miratuar me konsensusin historik të 21-22 korrikut. Opozita do të vazhdojë betejën e saj për rivendosjen e shtetit ligjor për të luftuar pa asnjë kompromis krimin e organizuar dhe trafiqet dhe praktikisht këtë do ta bëjë duke filluar nga Parlamenti Shqiptar dhe çdo qytet dhe fshat të vendit”, tha Monika Kryemadhi. Por nisur nga sulmet e hedhura nga kryetarja e LSI, gazeta mësoi se ndërkombëtarët kanë kërkuar nga opozita që të arrihet konsensusi politik për thellimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Në këto momente ngërçi është tek krijimi i organeve të reja të drejtësisë: Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Këto organe do të bëjnë të mundur edhe hetimin e pushtetarëve të lartë dhe luftën kundër korrupsionit. Pikërisht kjo është edhe çështja ku ndërkombëtarët e kanë ndalur theksin vazhdimisht e për këtë arsye reporterët e KiE kanë rritur presionet dje ndaj opozitës për zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi dhe jo zhbërjen e saj, siç kërkojnë partitë opozitare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here