Pas dy javësh kërkimesh, më 18 qershor 2026, trupi i pajetë i 34-vjeçarit Eglant Koçi u gjet në një humnerë në fshatin Cerrunjë, në zonën malore mes Tiranës dhe Elbasanit. Prania e një numri të madh sorrash kishte alarmuar banorët e zonës, të cilët dyshonin se në atë vend mund të ndodhej trupi i një njeriu.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhej: “Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull.”
Në operacionin e kërkimit u përfshinë policia, forcat RENEA dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa u përdorën edhe dronë për kontrollin e terrenit. Një element i rëndësishëm në orientimin e hetimeve ishin edhe sinjalet e fundit të telefonit të Armand Shakajt, i cili gjatë ditëve kur Eglant Koçi rezultonte i zhdukur ishte lokalizuar disa herë në këtë zonë.
Pas gjetjes së trupit, dyshimet e policisë u përqendruan edhe më shumë te Armand Shakaj, i cili kishte qenë mik dhe komshi i viktimës. Sipas të dhënave të dosjes, autopsia kishte konstatuar se Eglant Koçi ishte qëlluar me armë zjarri pas koke, duke lënë të dyshohej se autori e kishte qëlluar nga pas.
Në rindërtimin e ngjarjes, hetuesit dyshojnë se përplasja mes dy personave mund të ketë pasur si shkak kriptomonedhat dhe paratë me fajde. Dyshohet se konflikti kishte ndodhur në ambientet e lokalit të Shakajt, ku 34-vjeçari mund të ishte mbajtur me forcë përpara se të ekzekutohej.
Gjetja e trupit i dha një tjetër drejtim hetimit, duke plotësuar një nga elementet që deri në atë moment i mungonin policisë për të rindërtuar ngjarjen dhe për të dokumentuar dyshimet mbi mënyrën se si ishte kryer krimi.










































