Gjykata Supreme e Brazilit ka rrëzuar dy kërkesat e fundit të mbrojtjes së Ervin Matës, duke mos pranuar argumentet për azil dhe pezullimin e ekstradimit deri në përfundimin e një hetimi penal në Brazil.
Në vendimin e datës 11 nëntor 2026, të publikuar më 12 nëntor, gjykatësi Alexandre de Moraes argumenton se plotësimi i një formulari elektronik nuk përbën kërkesë zyrtare për azil.
Sipas tij, Ervin Mata nuk ishte paraqitur personalisht pranë Policisë Federale për të konfirmuar aplikimin, ndaj procedura nuk ishte formalizuar.
Gjykatësi gjithashtu rrëzoi kërkesën e avokatëve që ekstradimi të shtyhej deri në përfundimin e një hetimi penal në Gjykatën Federale të Sao Jose dos Campos, duke theksuar se hetimet në Brazil nuk përbëjnë pengesë ligjore për ekstradimin.
Gjykata Supreme kishte miratuar njëzëri kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Matës në gusht 2026, ndërsa vendimi mori formë të prerë më 20 tetor, pas rrëzimit të ankimeve të mbrojtjes.
Me vendimin e fundit, Alexandre de Moraes ka urdhëruar njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë Publike të Brazilit. Vijimi i procedurës i kalon tashmë autoriteteve ekzekutive braziliane.
Megjithatë, ekstradimi mbetet në varësi të vendimit diskrecional të Presidentit të Brazilit dhe garancive që duhet të paraqesë Shqipëria. Ervin Mata u arrestua nga policia braziliane me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.







































