Google search engine
Home Rajoni Kosova Zbardhet pas 27 vitesh fati i tre prej intelektualëve të zhdukur gjatë...

Zbardhet pas 27 vitesh fati i tre prej intelektualëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

0
14

Pas më shumë se 27 vitesh nga zhdukja e tyre gjatë luftës në Kosovë, janë identifikuar edhe tre persona të tjerë nga i njohuri si “Grupi i Intelektualëve”, të cilët ishin rrëmbyer nga forcat serbe në prillin e vitit 1999. Identifikimi është bërë përmes analizave të ADN-së, pas ekzaminimit të mbetjeve mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë. Lajmin e ka bërë të ditur dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.

“Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve. Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta. Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon e mbyllë dokumentet e arkivat, dhe glorifikon autorët e gjenocidit”, njofton Kurti.

Rasti lidhet me “Grupin e Intelektualëve”, pjesëtarët e të cilit u zhdukën më 19 prill 1999. Bëhet fjalë për shqiptarë kryesisht nga rajoni i Skenderajt dhe Mitrovicës, të cilët u rrëmbyen gjatë luftës. Në fund të korrikut dhe gjatë gushtit 2026, në Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin-Potokut u zhvilluan gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore, ku u zbuluan eshtrat e 23 personave. Identifikimet po kryhen përmes analizave të ADN-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here