Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se lufta me Iranin dhe rritja e çmimeve të karburanteve kanë ndikuar në rezultatet e dobëta të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, ku demokratët kanë siguruar një fitore të rëndësishme.
Në një intervistë për Fox News, Trump foli për raportimet se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e sulmeve ndaj disa objektivave në Iran, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të ndërmarrë veprime të reja ushtarake.
“Duhet të bëjmë diçka të madhe”, deklaroi presidenti, duke shtuar se kjo mund të përfshijë një “goditje të rëndë”.
Trump përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Irani nuk duhet të lejohet të zotërojë armë bërthamore.
Gjatë intervistës, presidenti pranoi se rritja e çmimeve të benzinës ka dëmtuar republikanët në garat zgjedhore. Sipas tij, votuesit nuk e kanë mirëpritur faktin që janë detyruar të paguajnë më shumë për karburantin.
Ky është një nga pranimet më të drejtpërdrejta të Trump për ndikimin që zhvillimet ekonomike dhe konflikti me Iranin mund të kenë pasur në rezultatet zgjedhore.
Megjithatë, presidenti nuk e konsideroi humbjen e pritshme të republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit si një goditje ndaj presidencës së tij.
Ai deklaroi se demokratët e kishin synuar prej vitesh një fitore të tillë dhe se më në fund ia kishin dalë. Trump i përgëzoi për rezultatin, duke vlerësuar se kishin bërë një punë të mirë.
Në të njëjtën intervistë, presidenti u përpoq të theksonte arritjet e administratës së tij gjatë dy viteve të fundit, duke veçuar ekonominë dhe sigurinë në kufirin jugor si dy prej sukseseve kryesore të presidencës.







































