Të dhënat e Open Data Albania për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 kanë ndezur alarmin e Partisë Demokratike për mënyrën se si po zhvillohen prokurimet publike në pushtetin vendor.
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Dorian Teliti, deklaroi se nga 1,877 tendera të shpallur nga 61 bashki dhe ndërmarrje apo shoqëri në pronësi të tyre, 556 procedura, ose 29.6% e totalit, janë kategorizuar me të paktën një indikator risku “Red Flag”.
Sipas Telitit, shqetësimi nuk lidhet vetëm me numrin e procedurave, por edhe me vlerën e tyre financiare. Tenderat me indikatorë risku kanë një fond limit prej rreth 9.82 miliardë lekësh, që përbën 39.4% të fondit të përgjithshëm të prokurimeve vendore, prej 24.95 miliardë lekësh.
Në vlerë absolute, kryeson Bashkia e Tiranës me rreth 1.8 miliardë lekë tendera të kategorizuar me “Red Flag”. Pas saj renditen Kamza me 1.32 miliardë lekë, Lezha me 1.03 miliardë, Vlora me rreth 903 milionë dhe Himara me rreth 761 milionë lekë.
Vetëm këto pesë bashki përqendrojnë 59.2% të fondit limit të të gjitha procedurave të kategorizuara me indikatorë risku.
Por për PD-në, situata bëhet edhe më shqetësuese kur shifrat krahasohen me fondin total të prokurimeve të secilës bashki. Shijaku rezulton me 72.9% të fondit të prokurimeve të lidhur me procedura me “Red Flag”, ndërsa Lezha me 61.8%, Kamza me 55.8% dhe Saranda me 55%.
Teliti akuzoi gjithashtu pushtetin vendor se para kompanive problematike mbyllen të dy sytë për shkak të lidhjeve politike, duke pretenduar se kjo dëmton konkurrencën, paratë e taksapaguesve dhe cilësinë e punëve publike.
Një tjetër element që ngre shqetësim sipas opozitës është rritja e ndjeshme e fondit të prokurimeve vendore. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ky fond është rritur me 79.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke kaluar nga 13.92 miliardë në 24.95 miliardë lekë.
PD kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë procedurat me nivel të lartë risku, veçanërisht në bashkitë ku tenderat me “Red Flag” përbëjnë pjesën më të madhe të fondit të prokurimeve.
“Paratë e qytetarëve duhet të shpenzohen me konkurrencë, transparencë dhe llogaridhënie”, deklaroi Teliti, duke kërkuar kontroll, auditim dhe ndjekje ligjore sipas rasteve.
Deklarata e Plotë:
Të dhënat e Open Data Albania për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 ngrenë një alarm serioz mbi mënyrën se si po zhvillohen prokurimet në pushtetin vendor.
Nga 1,877 tendera të shpallur nga 61 bashki dhe ndërmarrje apo shoqëri në pronësi të tyre, 556 procedura, ose 29.6% e totalit, janë kategorizuar me të paktën një indikator risku “Red Flag”.
Edhe më shqetësuese është pesha financiare e këtyre procedurave. Tenderat e kategorizuar me indikatorë risku arrijnë në një fond limit prej 9.82 miliardë lekësh, ose 39.4% të fondit të përgjithshëm të tenderave vendorë, që ishte 24.95 miliardë lekë.
Për nga vlera absolute, Bashkia Tiranë kryeson me rreth 1.8 miliardë lekë tendera me “Red Flag”, e ndjekur nga Kamza me 1.32 miliardë lekë, Lezha me 1.03 miliardë, Vlora me rreth 903 milionë dhe Himara me rreth 761 milionë lekë.
Vetëm këto pesë bashki përqendrojnë 59.2% të fondit limit të të gjitha procedurave të kategorizuara me “Red Flag”.
Në raport me fondin total të prokurimeve të secilës bashki, situata është edhe më shqetësuese në disa raste: Shijaku arrin në 72.9%, Lezha në 61.8%, Kamza në 55.8% dhe Saranda në 55%.
Partia Demokratike thekson se klasifikimi “Red Flag” është një sinjal i qartë risku, që lidhet me mungesën e konkurrencës, skualifikimin e ofertave, mënyrën e zhvillimit të procedurave, afatet dhe anulimet e përsëritura.
Për kompanitë problematike mbyllen të dy sytë sepse ato janë “njerëz të partisë” dhe kjo jo vetëm cënon garën e hapur, por edhe paratë e taksapaguesve dhe cilësinë e punëve publike.
Pikërisht për këtë arsye, këto të dhëna kërkojnë kontroll të menjëhershëm, transparencë të plotë, auditim dhe ndjekje ligjore sipas rasteve.
Alarmi bëhet edhe më serioz për faktin se fondi i prokurimeve vendore është rritur me 79.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025: nga 13.92 miliardë lekë në 24.95 miliardë lekë.
Më shumë para publike duhet të nënkuptojnë më shumë konkurrencë, më shumë transparencë dhe më shumë kontroll, dhe jo më shumë tendera me flamur të kuq.
Partia Demokratike kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë procedurat me nivel të lartë risku, veçanërisht në bashkitë ku ato përfaqësojnë pjesën më të madhe të fondit të prokurimeve.
Paratë e qytetarëve duhet të shpenzohen me konkurrencë, transparencë dhe llogaridhënie.







































