Dinamo City do të zbresë nesër në fushë në duelin e kthimit me letonezët e Audës, në një takim ku do të kërkojë jo vetëm të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë, humbur 1-0, por edhe të kualifikohet në “play-off” të Ligës së Konferencës, për të qenë kështu afër fazës së grupeve. Ecuria e deritanishme ka qenë e mirë dhe Dinamo duket se ka besim në vetvete. Shpresat e “nëndetëses” duket se janë varur te trajneri Ilir Daja. Sikurse raportojnë edhe mediat sportive, Daja, me përvojë tashmë në garat e UEFA-s dhe i pranishëm në grupe me Skënderbeun dhe Ballkanin, tani e synon pjesëmarrjen në këtë fazë edhe me Dinamon.
A do t’ia dalë? Në total, Daja numëron 65 ndeshje në kompeticionet europiane, me 27 fitore, 13 barazime dhe 25 humbje. Por ajo që bie më shumë në sy është performanca e tij në fazat kualifikuese. Në 47 ndeshje eliminatore, skuadrat e drejtuara prej tij kanë marrë 24 fitore, 9 barazime dhe 14 humbje. Është pikërisht në këto ndeshje ku Daja ka ndërtuar profilin e tij si trajner europian, pasi është një specialist i sfidave me eliminim direkt, i aftë të çojë skuadrat e tij deri në fazat e grupeve dhe këtë e ka bërë plot 3 herë në karrierën e tij.
Aventura me Skënderbeun
Një nga kapitujt më të rëndësishëm ë Dajës në Europë është padyshim ai me Skënderbeun. Në sezonin 2017/18, skuadra korçare bëri një rrugëtim të gjatë në eliminatoret e Europa League. Në tetë ndeshje, Skënderbeu regjistroi 4 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje. Kështu, Daja e drejtoi Skënderbeun në një nga skenat më të mëdha të futbollit europian. Në grup, skuadra zhvilloi gjashtë ndeshje, me një fitore, dy barazime dhe tri humbje. Në total, aventura e Dajës me Skënderbeun në atë sezon shkoi në 14 ndeshje, me 5 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje. Për një trajner shqiptar, ajo mbetet një nga fushatat më të rëndësishme europiane.
Ecuria me Ballkanin
Nëse ka një klub që lidhet më shumë se çdo tjetër me suksesin europian të Ilir Dajës, ai është Ballkani. Me klubin nga Suhareka, Daja përjetoi periudhën më të gjatë dhe më të suksesshme të eksperiencës së tij europiane. Në total, ai drejtoi Ballkanin në 34 ndeshje europiane, me 15 fitore, 4 barazime dhe 15 humbje. Në eliminatoret e Ligës së Konferencës, skuadra e Dajës ishte praktikisht e pandalshme. Në gjashtë ndeshje, Ballkani mori 5 fitore dhe një barazim, duke mos pësuar asnjë humbje. Me 2.67 pikë për ndeshje (nëse llogariten me 3 pikë), kjo ishte një nga performancat më të mira të Dajës në karrierën europiane. Ballkani siguroi një vend në fazën e grupeve të Konferencës, duke u bërë pjesë e një momenti historik për futbollin në Kosovë.
Në grupe, Ballkani mori një fitore dhe një barazim, ndërsa humbi katër ndeshje. Në sezonin 2023/24, Daja dhe Ballkani e përsëritën rrugëtimin. Përsëri gjashtë ndeshje në Ligën e Konferencës, ku skuadra e Ballkanit arriti sërish të merrte 5 fitore dhe vetëm një humbje dhe sërish, Ballkani siguroi një vend në fazën e grupeve. Dy sezone radhazi në fazën e grupeve të një kompeticioni europian përbëjnë një nga arritjet më të mëdha të karrierës së Dajës.







































