Nga Julia Vrapi
Filmi “Dimri i fundit”, një nga veprat e rëndësishme të kinematografisë shqiptare, po i nënshtrohet procesit të restaurimit. Puna po zhvillohet në studion e restaurimit të AQSHF-së nga specialistët me qëllim ruajtjen dhe rikthimin e cilësisë së kësaj vepre të trashëgimisë filmike shqiptare. “Dimri i fundit” është një film artistik shqiptar i vitit 1976, me regji nga Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e re”. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit thekson se restaurimi i filmave shqiptarë është pjesë e punës për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë filmike kombëtare. “Një tjetër gur i çmuar i kinematografisë shqiptare po rikthehet në jetë. Ka nisur procesi i restaurimit të filmit ikonik “Dimri i fundit”, punë e kujdesshme që po realizohet në studion e restaurimit të AQSHF nga specialistët audiovizual Erand Meça dhe asistentja Hajrije Dedej, me përkushtimin për të ruajtur dhe rikthyer në cilësinë më të mirë një nga veprat e rëndësishme të trashëgimisë sonë kinematografike.
Premiera e filmit të restauruar së shpejti në kinema “Drita””, shprehet Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. “Dimri i fundit” film artistik i dy regjisorëve të njohur të kinematografisë shqiptare Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, skenari i tij është shkruar nga Nexhati Tafa, muzika e filmit është nga kompozitori Aleksandër Lalo. Në roje janë aktorë të njohur të kinemasë shqiptare si: Liza Laska, Margarita Xhepa, Agim Qirjaqi, Guljelm Radoja, Rajmonda Bulku, Dhimitra Plasari, etj. Filmi artistik shqiptar “Dimri i fundit” rrëfen historinë e një fshati të vogël, gratë e fshatit furnizojnë me ushqime dhe veshje një grup partizanësh fshehurazi ushtarëve gjermanë gjatë pushtimit të Shqipërisë nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore.
Procesi i restaurimit
Restaurimi i “Dimrit të fundit” është në vijim dhe të filmave të tjerë më parë me probleme që janë pjesë e fondit filmik të AQSHF-së. Ky proces u jep mundësi veprave të krijuara ndër vite të ruhen në standarde më të mira teknike dhe të prezantohen sërish para publikut. “Dimri i fundit” gjithashtu është një tjetër film i realizuar nga dy regjisorët e njohur të kinematografisë shqiptare Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro që do të restaurohet. Vjet në muajin korrik u bë me dije dhe restaurimi i filmit “Liri a vdekje” i dy regjisorëve Muçaj dhe Mitro. Ky film i vitit 1979 ishte dhe projekti i radhës i restaurimit realizuar nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit me mbështetjen e programit “Sezoni i Filmave Klasikë” të ACE – Association des Cinémathèques Européennes. Restaurimi u krye në laboratorin e Augustus Color, Romë, pas skanimit 4K në studion e AQSHF-së të elementeve filmikë të figurës dhe zërit







































