Mediat sportive në Argjentinë dhe në Europë po aludojnë për një pensionim të legjendës Lionel Mesi nga përfaqësuesja e Argjentinës. Madje, shkruhet se ai u ka thënë shokëve të tij të skuadrës te Argjentina se finalja e Kupës së Botës kundër Spanjës ishte ndeshja e fundit e karrierës së tij ndërkombëtare. Sipas gazetarit Hernan Kastijo, kapiteni i Albiceleste njoftoi vendimin e tij të rëndësishëm gjatë një fjalimi emocional në dhomën e zhveshjes para të gjithë skuadrës pas përfundimit të turneut të FIFA-s. “Leo Mesi u tha shokëve të tij të ekipit kombëtar të Argjentinës se finalja e Kupës së Botës kundër Spanjës ishte ndeshje e tij e fundit për ekipin kombëtar”. “Pas finales, ai mbajti një fjalim emocional para shokëve të ekipit”, raportoi Kastijo.
Ndryshe, Mesi ishte lojtari kryesor i Argjentinës këtë Botëror, duke shënuar tetë gola dhe katër asistime, duke dërguar kombëtaren e tij në finale, të cilën e humben nga Spanja në vazhdime me rezultat 1-0. Ndërkohë, Mesi është vlerësuar si lojtari më i mirë i Kupës së Botës 2026 nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS). Vendimi vjen pas një Botërori ku Argjentina u ndal në finalen ndaj Spanjës, ndërsa çmimin zyrtar të “Lojtarit më të mirë të turneut” e fitoi Rodri. Megjithatë, sipas analizës së IFFHS, kapiteni argjentinas ishte futbollisti me performancën më të lartë në bazë të të dhënave. Sipas organizatës, vlerësimi është bërë përmes Indeksit të Performancës së Përgjithshme të IFFHS, një metodologji që merr në konsideratë paraqitjet në ndeshje, golat, asistet dhe ndikimin e lojtarëve në fazat eliminatore.
Messi e mbylli turneun me 8 gola në 8 ndeshje dhe 4 asistime, duke regjistruar një mesatare vlerësimi prej 8.33 pikësh për ndeshje. “Ky nuk është rezultat i një momenti të vetëm shkëlqimi, por i një niveli të qëndrueshëm gjatë gjithë turneut, nga faza e grupeve deri në ndeshjet më vendimtare”, argumenton IFFHS. Federata thekson veçanërisht ndikimin e Mesit në fazën me eliminim direkt, ku sipas saj, kapiteni i Argjentinës tregoi aftësinë për të ngritur nivelin në momentet më të mëdha të kompeticionit. “Indeksi ynë i jep rëndësi të veçantë performancës në fazat eliminatore, sepse aty matet madhështia e një lojtari në Kupën e Botës. Kontributet e Mesit ishin thelbësore për rrugëtimin e Argjentinës”, thuhet në deklaratën e IFFHS. Kështu, pavarësisht humbjes në finalen kundër Spanjës, Mesi merr një tjetër njohje individuale në një Botëror ku la gjurmë me statistika historike.







































