Nga Julia Vrapi
Veprat e Franz Schubert, Johannes Brahms, Frederic Chopin dhe të tjerë autorëve botërorë janë pjesë e koncerteve në programin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Janë koncerte, që sjellin në skenë edhe solistë shqiptarë dhe të huaj. TKOB sjell në skenë këtë muaj dhe “Rrëfimin e Tingujve”. Një koncert që prek zemra, me ndjeshmërinë e një artisti që sheh përmes shpirtit. Të dielën paradite në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit pianisti Nicola Pio Nasca do të sjellë një udhëtim muzikor përmes veprave të Bach, Liszt, Chopin dhe Albeniz. “Vetëm 22 vjeç, nga Bari i Italisë, Nicola është pianisti i parë italian me mungesë shikimi që në lindje, i cili ka përfunduar studimet në piano.
Ky një shembull frymëzues i forcës dhe dashurisë për artin”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Sipas teatrit ky koncert është një përjetim unik, ku muzika flet përtej shikimit me një ndjesi që të prek në çdo frymëmarrje. Një tjetër koncert në TKOB është edhe ai që sjell në skenë Marin Gjollmën solist në piano dhe Orkestrën Simfonike të TKOB, që do të drejtohet nga dirigjenti Sergio Alapont. Koncerti “Përtej tingujve” pritet që të zhvillohet në datën 5 maj në TKOB. Teatri shprehet se përtej tingujve do të na udhëheqë magjia e Simfonisë nr. 8 në Si minor, D. 759 të Franz Schubert, e njohur si “Simfonia e Papërfunduar”, një vepër që mbetet ndër më enigmatiket dhe më prekëset e repertorit klasik, ku ndalen tingujt dhe flet shpirti.
Sipas teatrit, në vijim, do të përjetojmë fuqinë shpërthyese të Koncertit për piano nr. 1 në Re minor, op. 15 të Johannes Brahms, një nga veprat më dramatike dhe pasionante të repertorit për piano dhe orkestër, që do të vijë nën interpretimin e pianistit virtuoz, Marin Gjollma. “Një natë që na fton të ndjejmë më shumë, të dëgjojmë më thellë, dhe të zbulojmë emocionin atje ku fillon përjetimi”, thuhet nga TKOB. Pianisti dhe pedagogu Marin Gjollma herë pas here është i pranishëm me koncertet që zhvillon në aktivitetet artistike në Tiranë, por këtë herë në muajin maj do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Vepra e Pergolesit
Më parë në TKOB ishte vepra me titull “Stabat Mater”. Vepra “Stabat Mater” e autorit italian Giovanni Battista Pergolesi është në vijim të programit artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë muaj dhe mbrëmjen e së enjtes solli dhe dy soliste të njohura Eriona Gjyzelin dhe Sonila Baboçin, korin e zërave të bardhë, Orkestrën Simfonike të TKOB-së.
Dirigjent Dritan Lumshi dhe drejtuese e korit të zërave të bardhë Sonila Baboçi. Giovanni Battista Pergolesi u lind më 4 janar të vitin 1710 u lind. Ndër veprat më të njohura të tij, ku edhe sot ekzekutohen janë “Stabat Mater”, e cila popullaritetin më të madh e mori pas vdekjes së kompozitorit, si dhe vepra “Salve Regina”. E para në programin artistik këtë muaj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte opera “Il Maestro di Cappella” për të vijuar më pas dhe me koncerte të ndryshme.