Trajneri i Kombëtares Silvinjo është sy e veshë nga lojtarët kuqezi, duke ndjekur në distancë ecurinë e tyre me ekipet ku luajnë por edhe statistikat sportive që ka secili dhe mundësisë që ata të jenë të grumbulluar në kuadër të ndeshjes me Serinë që do të luhet në Tiranë në qershor. Duhet thënë se Silvinjo ka një kontigjent të madh në dispozicion, por Shqipëria nuk ka lojtarë të nivelit shumë të lartë që bëjnë diferencë në top-ligat europiane.
Një pjesë luajnë në elitë, sikurse janë lojtarët që luajnë në Serie A, por kohët e fundit trajnerin e ka “ngrohur” performanca që kanë disa lojtarë shqiptarë në kampionatet e ndryshme europiane por edhe aziatike sikurse ndodh me Bajramin në Portugali apo me Asanin në Korenë e Jugut.
Bajrami shkëlqen në Portugali
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Adrian Bajrami, është bërë sot protagonist me fanellën e Benfikës, me të cilën ka gjetur minuta në Kupën e Portugalisë, për të ndihmuar skuadrën e tij të shkojë në finale. Në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës mes Benfikës dhe Tirsense, ai është rreshtuar si titullar nga trajneri i Benfikës dhe ka lënë shenjë jo vetëm me lojën në qendër të prapavijës, por edhe duke shënuar një nga golat e sfidës. Në minutën e 74-t, pas një goditje nga këndi, Bajrami ishte ai i cili shtyu sferën në rrjetë, duke çuar rezultatin në 2-0 për ekipin e tij, që kishte vendosur në kasafortë gjithçka që në ndeshjen e parë të fituar 5-0.
Asani një hero i Guangju
Jasir Asani i shënoi dy gola ndaj kampionit të Japonisë, Visel Kobes, dhe ia siguroi Guangjusë çerekfinalen e Ligës së Kampionëve të Azisë. Guangju në Korenë e Jugut më 12 mars fitoi 3:0 dhe avancoi tutje në garën e rëndësishme. Sulmuesi i Shqipërisë ka nëntë gola në Championsin aziatik dhe bashkë me Anderson Lopesin e Jokohamas, janë golashënuesit më të mirë. Të premten prej orës 18:30, Asani dhe Gëangju luajnë në udhëtim tek Al Hilali i Arabisë Saudite, në stadiumin “King Abdullah Sports City”.
Në çerekfinale të garës janë tri skuadra nga Arabia Saudite, dy nga Japonia, dhe një nga Koreja e Jugut, Katari dhe Tajlanda. Trajneri i skuadrës, Le Jung-Hyo, ka folur për kundërshtarin e radhës dhe për ndeshjen në tërësi. “Çdo minutë, çdo sekondë do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Ndeshja ndoshta do të zgjas 100 minuta dhe është shfaqje për ne, për t’i treguar botës se si luajmë. Do të jetë ndeshje për jetë a vdekje. Njëri do të fitojë ndërsa tjetri do të vdes”, ka deklaruar trajneri Le në konferencën për shtyp të enjten. Guangju është skuadër debutuese në këtë garë.
Asllani mund të largohet nga Interi
Kristjan Asllani dhe sulmuesi Taremi pritet të largohen nga Interi në fund të këtij sezoni. Gazetat italiane raportojnë se kjo dyshe do largohen nga skuadra “Nerzazzurri”. Mesfushori shqiptar ka kontratë me Interin deri në vitin 2028, por për shkak të minutazhit të vogël, pritet të gjejë një skuadër të re gjatë afatit kalimtar. 23-vjeçari tashmë ka shumë oferta në tavolinë, madje edhe nga Premier League. Kurse Mehdi Taremi, kontrata e të cilit skadon në verën e vitit 2027, pati shumë ndeshje në dispozicion, por trajneri dhe stafi nuk u ndanë të kënaqur me të. Ai ka shënuar vetëm tri gola.