Në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentian Doçi Funiqi dhe disa të tjerë, për rrëmbimin dhe zhdukjen misterioze të Jan Prengës , ka dëshmuar këtë të mërkurë Festim Bexhdili. Ai punonte si kopshtar në kompleksin “Golden Resort” në Shijak dhe tregoi para gjykatës se kishte qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i momenteve pas rrëmbimit, kur në ambientet e resortit mbërritën katër persona të armatosur me një automjet luksoz.
Ai pretendon se ka ndihmuar në zhvendosjen e trupit të pajetë të Jan Prengës, nën kërcënimin e armëve. Ai tha gjithashtu se pak më vonë kishte mbërritur Altin Hajri, i cili ishte i irrituar dhe kishte kërkuar që personat të largoheshin menjëherë nga resorti.
Festim Bexhdili, kopshtar i Golden Resort: Po merresha me pastrimin e pishinës, kur papritur mbërriti një makinë Range Rover e bardhë dhe u fut në garazh. U afrova për të parë kush ishin. Brenda ishin katër persona të panjohur për mua, të cilët mbanin armë. Më kërkuan ujë për të pirë dhe ua solla, edhe pse ndihesha nën presion dhe i pasigurt.
Njëri prej tyre më tha se kishin në mjet një të vdekur dhe duhej ta ndihmoja për ta zhvendosur trupin nga automjeti i tyre në një tjetër. Nga frika dhe tronditja, pranova. Trupin e vendosëm në një Fiat Doblo që zakonisht e përdorim për nevojat e kompleksit.
Nuk mbaj mend mirë pamjen e tyre, megjithëse nuk ishin të maskuar. Njëri kishte tatuazhe të dukshme. Nga mënyra si flisnin, dukej sikur ishin nga veriu i vendit. Pas pak minutash, aty erdhi Altin Hajri. Ai reagoi me zemërim, i qortoi dhe u tha që po sillnin telashe. U kërkoi të largoheshin menjëherë. Nuk kam dijeni se çfarë bëri më tej.
Më vonë, më kërkuan edhe një kazmë me një lopatë. Nuk shpjeguan arsyen pse. Ia dhashë dhe i morën me vete në makinë. Pas largimit të tyre, u nisa drejt shtëpisë time në Kavajë.
Bexhdili u dënua fillimisht përjetë, pastaj vendimi u prish nga Gjykata e Lartë. Tani po rigjykohet.