Partia Socialiste duket se po shkon drejt zgjedhjeve të 11 majit më e përçarë se kurrë dhe me tensione të brendshme që po minojnë stabilitetin e saj. Në vend që fushata të shënojë një unitet të fortë përballë kundërshtarëve politikë, ajo po nxjerr në pah konfliktet e brendshme mes kandidatëve socialistë, një përplasje e ashpër që në shumë raste po shkon deri në sabotim të ndërsjellë. Në qarkun e Vlorës, deputeti i PS-së dhe kandidati për një mandat të tretë, Vullnet Sinaj, ka ngritur alarmin për një lojë të pistë që, sipas tij, po luhet brenda vetë partisë. Në një intervistë televizive, Sinaj zbuloi dje se kolegë të tij brenda PS-së, në vend që të punojnë për fitoren e përbashkët, po i kërkojnë qytetarëve të mos e votojnë atë, me argumentin absurd se “ai e ka të fituar mandatin”.
Në fjalët e tij, Sinaj ka theksuar: “E vetmja gjë që ndodh, që unë kam merak dhe dua ta shpreh sot meqë më dhatë rastin është që kur shkojnë konkurrentët e tjerë të ekipit të garës për të kërkuar votën te qytetarët, i thonë, ka shumë nga ata që i thonë votën e kemi për deputet Vullnetin. Edhe ai i thotë që shiko, deputet Vullneti ka shumë vota, është deputet i sigurt, ma jep mua votën. Dua t’u them qytetarëve që unë e kërkoj votën, dua hakun e punës time dhe dua votën e të gjithë atyre.” Deklarata e Sinajt është një sinjal i qartë se klima brenda strukturave të PS-së në Vlorë është e tensionuar dhe larg një fushate të koordinuar. Kjo nuk është hera e parë që emra të rëndësishëm të partisë denoncojnë sabotime të brendshme, por zëri publik i Sinajt e bën situatën edhe më alarmante. Ai kërkon të drejtën e votës jo si favor, por si shpërblim për punën e bërë ndër vite, ndërsa sjellja e disa kandidatëve të PS-së lë të kuptohet për një përplasje të thellë në garën për mandat.
Përplasjet në Fier
Nëse në Vlorë sabotimi ndodh nën zë, në Fier përplasjet po bëhen me zë të lartë. Skena e çeljes së fushatës socialiste në sheshin “Skënderbej” të shtunën u kthye në një arenë tensioni mes figurave të njohura të PS-së. Sipas burimeve për Ditar.al, një përplasje e drejtpërdrejtë ka ndodhur mes zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila kandidon në Fier dhe deputetes së qarkut Antoneta Dhima. Gjatë momentit kur kandidatët po përgatiteshin për të bërë fotot zyrtare, Balluku, në rolin e “regjisë”, po i vendoste në pozicionet e duhura për fotografi. Por kjo skemë organizimi nuk i ka pëlqyer Dhimës, e cila, me nervozizëm, ka dalë nga rreshti dhe ka deklaruar: “Ik se nuk dal fare.”
Por reagimi i Ballukut ishte i menjëhershëm dhe me tone të ashpra: “Hajde moj futu këtu, se s’ta kam ngenë për dënglat e tua!” Edhe pse Dhima më pas u kthye për të bërë foton, situata la një shije të hidhur dhe ekspozoi çarjen brenda PS-së në Fier. Kujtojmë se Antoneta Dhima ka mbetur jashtë listave të mbyllura të kandidatëve, një vendim që dyshohet të jetë marrë nga vetë Balluku, e cila sipas burimeve, po punon fort për të promovuar njerëzit e saj të besuar në parlament, Ceno Klosin, zv.ministër, dhe Klevis Jahajn, drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve. Kjo tregon se beteja në Fier dhe Vlorë nuk është më për votuesit e opozitës, por për vetë strukturën e listës së hapur. Disa emra kërkojnë të mbijetojnë në skenën politike përmes përkrahjes së qytetarëve, ndërsa të tjerë synojnë ta kontrollojnë listën nga lart, përmes ndikimit në qeveri.