Baleti “Arrëthyesi” me muzikën e Çajkovskit vjen me një koreografi të re nga Edi Blloshmi në TKOB

0
16

Nga Julia Vrapi

“Arrëthyesi” një kryevepër klasike me muzikën e Çajkovskit do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepra e baletit “Arrëthyesi” është vënë edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por këtë dhjetor vjen për publikun me një koreografi të re nga Edi Blloshmi drejtor artistik i baletit. Baleti emblematik i Krishtlindjes, me muzikën e pa përsëritshme të Tchaikovsky-t që sjell festën, magjinë, atmosferën e ngrohtë në dhjetorin e ftohtë, si dhe përrallën me fund të lumtur, vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përgjatë gjashtë mbrëmjeve. Kostumet te “Arrëthyesi” janë dizenjuara me mjeshtëri nga kostumografia Edlira Qyshka.

“Këtë vit, jo vetëm që kemi shtuar netët e shfaqjes, por kemi pasuruar edhe kostumet e skenografinë. Për më tepër, “Arrëthyesi” vjen me një koreografi tërësisht të re, krijuar nga drejtori artistik i baletit, Edi Blloshmi”, thuhet nga TKOB. Baleti vjen në datat 23-24-26-27-29-30 dhjetor në orën 19:00 dhe në skenë do të jenë solistët dhe trupa e baletit, baletmaestër Alisa Gjoni. Shkruar nga Pyotr Ilyich Tchaikovsky baleti me dy akte është bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush” nga E.T.A. Hoffmann, libreti sipas Marius Petipa. Historia rrjedh nga tregimi “Arrëthyesi dhe Mbreti i minjve” i Ernst Theodor Amadeus Hoffmann. Çajkovski kompozoi muzikën e baletit mes viteve 1891 e 1892. Vënia e parë skenike që u realizua në të njëjtën kohë me operën “Iolanta”, po e kompozitorit Çajkovski, u realizua në 18 dhjetor 1892 pranë teatrit “Mariinskij” të Shën Pjetërburgut në Rusi. “Arrëthyesi” që në shumë skena është realizuar si shfaqje baleti, nuk ka munguar dhe në kinema apo teatër.

Edi Blloshmi si koreograf

Më parë këtë muaj trupa e baletit e TKOB-së ishte me baletin klasik edhe në skenat italiane. Me elegancën dhe mjeshtërinë e tyre, balerinët e TKOB-së ishin në disa nga teatrot më të njohura të Venecias, duke përcjellë historinë magjike të Klarës dhe Arrëthyesit. Këtë dhjetor “Arrëthyesi” vjen me një koreografi të re në skenën tonë nga Edi Blloshmi, që ka një aktivitet artistik ndërkombëtar. Lindur në Tiranë, Shqipëri, ai nisi formimin e tij artistik në Shkollën Kombëtare të Baletit dhe më pas vazhdoi studimet në National Ballet School of Canada. Karriera e tij nisi në vitin 2004 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri. Më pas ai u zhvendos në Kanada, ku për 10 vjet ishte Solist i Parë në Les Grands Ballets Canadiens de Montreal dhe më pas për 9 vjet në Opera National de Lyon në Francë. Gjatë kësaj periudhe Edi interpretoi në krijimet e koreografëve të famshëm. Gjatë karrierës së tij, Edi Blloshmi ka kontribuuar në shumë krijime koreografike dhe ka dhënë mësim në teatro prestigjioze si Opera de Lyon, Ballet de Geneve, Ballet Preljocaj, Les Grands Ballets Canadiens de Montreal etj. Pas hapjes së pozicionit vakant për drejtor baleti në TKOBAP, Edi Blloshmi vendosi të rikthehet në Shqipëri për të nisur një mision të ri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here