Zbulimet arkeologjike në Durrës, IKTK: Kemi të bëjmë me një mozaik të rrallë

0
33

Një tjetër mozaik u zbulua disa ditë më parë në sitin më të ri arkeologjik të qytetit të Durrësit, në kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se mozaiku, i cili u bë shkak për identifikimin e vilës romake dhe fillimin e gërmimit arkeologjik, duket të jetë i ruajtur në një sipërfaqe të madhe të tij. “Ndërkohë që akoma nuk është i qartë funksioni i këtij ambienti, mund të themi me siguri që kemi të bëjmë më një mozaik të rrallë dhe shumë cilësor, që na lë të sugjerojmë se investimi për ndërtimin e vilës duhet të ketë ardhur nga individ të rëndësishëm të perandorisë romake. Ky mozaik, është i punuar në formë qilimi, me tesera guri në ngjyrë të bardhë dhe të zezë, tipike për periudhën midis shekujve I p.e.s-deri II e.s. Dekorimi i tij është kryer me motive gjeometrike dhe floreale ku përmendim panelin qëndror me motive hexagonale ose ndryshe me hojza bletësh, dhe një fashë ngjitur me pragun prej mermeri i cili është kompozuar me roseta dhe motivin e mburojave dyshe që qëndrojnë në shpinë më njëra-tjetrën”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore që ka ndarë në faqen e tij dhe foto të mozaikut. Por sipas IKTK-së me rëndësi është fakti që mozaikët me këto motive në perandorinë romake janë të përhapura kryesisht në Itali si në Pompei ose Ostia dhe shumë rrallë në lindje. “Shfaqja e këtij mozaiku në Durrës tregon për lidhjet e ngushta ekonomike, kulturore dhe shoqërore me fqinjët përballë qytetit. Gërmimet vijojnë”, thuhet nga IKTK. Më herët IKTK shprehej se gërmimet të cilat shtrihen në një sipërfaqe prej 1200 m2, në këtë fazë, na kanë dhënë një panoramë të veçantë të organizmit urban të zonës, ku me siguri kemi të bëjmë me një pjesë të qytetit ku banonin shtresat elitare të shoqërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here