16 mijë punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Burgjeve do të kenë rritje page me 30%

0
45

Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të sistemit të Burgjeve do të kenë paga më të larta prej datës 1 Korrik. Kjo rritje do të jetë në masën 30% dhe do të realizohen në dy etapa. Për televizionin “SCAN TV”, kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta si dhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj, kanë folur mbi numrin e përfituesve ku sipas tyre janë mbi 12 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe 3560 punonjës të sistemit të policisë së Burgjeve. Sipas zotit Fishta nga 1 Korrik do rritet 25% paga bazë e punonjësve të policisë, si dhe do të ketë një rritje shtesë prej 5% me natyrë të veçantë pune. “Qeveria ka në vëmendje dhe pagat e punonjësve të policisë, është një ndër objektivat politikë të saj. Projekti është bërë gati për të përfituar këtë shtesë më 1 Korrik, ku do rritet 25% paga bazë e punonjësve të policisë, si dhe do të ketë një rritje shtesë prej 5% me natyrë të veçantë pune. Kështu që kjo është një rritje e konsiderueshme me 30%, të mbledhura bashkë. Pothuajse të gjithë punonjësit e policisë janë përfitues pra mbi 12 mijë persona”, deklaroi Fishta. Ndërkohë zoti Sadetin Fishta zbulon se zgjidhje i është dhënë dhe përfitimit të pagesave të orëve shtesë të mbaruara, si dhe disa problematikave të tjera që shqetësojnë punonjësit e Policisë së Shtetit. “Kemi kërkuar heqjen e fashës për mbi 16 orë punë, e cila është bërë pengesë edhe pse ligji për këtë nuk e pengon institucionin e policisë t’jua paguajë mbi 16 orë pune. Ligji shprehet në mënyrë taksative që nuk duhet që punonjësit e policisë të punojnë mbi 16 orë, sigurisht që duhet të ketë dhe marrjen e diferencës financiare”, nënvizoi Sadetin Fishta, kryetari i Sindikatës së Policisë.

Macaj jep detajet për efektivët e Policisë së Burgjeve

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj zbulon se rritja për efektivët e “Burgjeve” do të jetë tek 30%-shi. “Rritja do të jetë tek 30%-shi. Nga shtesat që priten, janë përfitues 3660 punonjës të burgjeve nga grada më e ulët deri në gradën më madhore. Janë 2 projekte për rritjen e pagës”, deklaroi ai. Më tej kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj zbulon se janë edhe disa benefite të tjera që përfitojnë efektivët e Policisë së Burgjeve. “Ligji 39 i 2023 riktheu ato të drejta të mohuara dhe shtoi dhe disa të tjera, si çështjen e strehimit, e ushqimit që në projektvendim, është sanksionuar dhe vakti ushqimor”, nënvizoi Valentin Macaj, kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve.

Parashikimet ligjore

Kujtojmë se qeveria do të vijojë me rritjen e pagave gjatë këtij viti kryesisht në sektorët prioritarë si shëndetësia, arsimi, siguria, mbrojtja. Ndërsa synohet të realizohet rritja e pagës mesatare të administratës publike nga 530 Euro në 900 Euro. Kjo është parashikuar në strategjinë afatmesme buxhetore 2024 -2026 publikuar në Fletore Zyrtare (2 gusht 2023). Kështu për vitin që jemi, pra 2024, parashikohen të përfitojnë nga rishikimi i politikës së rritjes së pagave mjekët, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Garda dhe punonjësit e burgjeve:

-Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor, ku përgjatë dy viteve do të realizohet rritja mesatare për mjekët dhe infermierët që varion nga 26-34% të pagës bruto;

-6,756 punonjës të Forcave të Armatosura që përfitojnë rritje të pagës për gradë me 4- 22% për vitin 2024;

 -Rreth 12,120 punonjës të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, të cilët përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7 % për vitin 2023 dhe 21-35% në vitin 2024;

-Rreth 3.566 punonjës të Policisë së Burgjeve, të cilët përfitojnë rritje të pagës për grade me 7% për vitin 2023 dhe 22-36% në vitin 2024;

Për vitin që jemi, por dhe për 2 vitet e ardhshme parashikohet që nga buxheti i shtetit të shpenzohen 971,428,000 lekë për pagat. Vitin që shkoi, pra 2023, pati dhe një rritje të pagës së arsimtarëve dhe mjekëve me 7 %, por në listën e prioriteteve të Ministrisë së Arsimit për vitin që jemi (2024) nuk flitet për rritje page për arsimtarët, por për mbështetje në zhvillimin profesional të mësuesve si dhe në sigurimin e transportit të 12 mijë mësuesve që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here