Atalanta e Gjimshitit shkatërron Bajer Leverkusen në finalen e Dublinit, fiton trofeun e Europa League

0
30

Finalja e Ligës së Europës e luajtur mbrëmë në stadiumin e Dublinit në Irlandë, midis Bajer Leverkusenit dhe Atalantës, vendosi verdiktin e parë sezonal për klube në Europë. Atalanta fitoi me rezultatin e thellë 3-0 dhe meritoi trofeun. Sukses madhështor edhe për mbrojtësin kuqezi, Berat Gjimshiti, që fitoi duelin me Granit Xhakën. Ndeshja e mbrëmshme ishte në tërësi më e mirë për Atalantën, e cila e kishte studiuar si duhet kundërshtarin dhe e bllokoi lojën e tij në të gjitha drejtimet, duke mos i dhënë hapësirë. Ishin golat e shpejtë të shënuar nga Atalanta që i dhanë asaj avantazhin e epërsisë dy herë dhe kjo i mundësoi më pas të mendonte më shumë për mbrojtjen e rezultatit. Ishte Lukman që shënoi për italianët në minutën e 12-të, pas asistimit të Zapakostës, ndërkohë që Berat Gjimshiti, lider i skuadrës italiane në fushën e lojës, mori karton të verdhë në minutën e 22-të. Në minutën e 26-të, me një goditje shumë të bukur, Lukman shënoi golin e dytë për ekipin italian dhe kjo ia komplikoi ndeshjen Bajer Leverkusenit. Granit Xhaka, një nga mesfushorët më të mirë në botë në rolin e tij, nuk ishte në ditën e vet më të mirë, duke bërë shumë gabime në pasime, e vetë skuadra gjermane, me skemën taktike që ndoqi, e pati të vështirë të gjente rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë Leverkusen e shtoi dozën sulmuese, por gjeti përballë një kundërshtar shumë agresiv për topin e parë. Atalanta i fitoi shumicën e duleve tokësore dhe ajrore, duke e futur në tension edhe vetë trajnerin Ksabi Alonso. Me kalimin e minutave trajneri Alonso përpiqet të gjejë elementin e duhur që bën ndryshimin, por nga ana tjetër rivali Gasperini duket se i ka më të qarta idetë e tij për lojën dhe mbrojtjen e rezultatit. Leverkusen bën volum loje, por skuadra që rrezikon më shumë është Atalanta me kundërzbritjet e saj të shpeshta, në të cilat merr pjesë edhe vetë Gjimshiti. Në minutën e 75-të vjen goditja fatale për Bajer Leverkusenin, pasi Lukman, lojtar që ka lindur në Londër por përfaqëson në arenën ndërkombëtare Nigerinë, shënon edhe golin e tretë personal dhe të tretin për ekipin e tij, duke i vënë “kapak” fitores dhe duke shtruar përfundimisht rrugën për tek trofeu. Në fund, festë e merituar për Atalantën, që fiton për herë të parë një kupë Europe. Finalja e radhës do të jetë ajo mes Olimpiakosit dhe Fiorentinës, në Athinë më 29 maj, në finalen e Ligës së Konferencës, kurse finalja e Champions League midis Realit të Madridit dhe Borusias së Dortmundit do të luhet më 1 qershor në “Uembli” të Londrës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here