Gratë në konflikt me ligjin, aktore në skenë në shfaqjen “Shi në plazh” në “FemFest”

0
86

Gratë në konflikt me ligjin, aktore në skenë në festivalin “FemFest”. Komedia “Shi në plazh” me regji nga Eni Jani erdhi mbrëmjen e së martës si një shfaqje e pazakontë në kuadër të edicionit të tretë të festivalit “FemFest”, në “ArTurbina”. Regjisorja Eni Jani ka rivënë komedinë “Shi në plazh”, por këtë herë kasti la mjediset e izoluara të qelive dhe u ngjit në skenë. “Gratë e dënuara, në konflikt me ligjin kanë dalë dje përpara një publiku të rastësishëm të shfaqjeve të teatrit, ndonëse për shkak të kauzës të pranishëm ishin edhe ministrat e drejtësisë të Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik, etj”, thuhet për shfaqjen  që u dha në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”. Thuajse në 90 minuta, këto gra kanë jetuar një përvojë të paharruar, pa harruar edhe procesin e provave, të përvetësimit të personazheve dhe të transformimit fizik të tyre për t’ju përshtatur roleve. Të kufizuara në të drejtën për të qenë të lira, derisa të kryejnë detyrimet e tyre përballë ligjit, por jo të mohuara në të drejtën për të jetuar, gratë e IEVP “Ali Demi” kanë dhënë edhe mesazhe të rëndësishme, për kurajon dhe mbështetjen që u është dhënë gjatë kësaj kohe. Në kuadër të “FemFest” të ardhurat nga biletat e shfaqjeve që vihen në skenë shkojnë për katër studente, për bursa studimi në Universitetin e Arteve.

 Disa shfaqje teatrore në festival

Ky edicion i festivalit në 5 netët e tij ka disa shfaqje teatrore. Nuk mungojnë rubrikat “FemTalk” përpara çdo shfaqje, si edhe panelet e përditshme që do të moderohen nga figura femërore të rëndësishme të jetës publike në vend. Në natën e parë të festivalit më 4 mars në skenë për publikun erdhi shfaqja teatrore “10 vjet martesë”. Mbrëmjen e 5 marsit veç komedisë “Shi në plazh” erdhi në skenë edhe shfaqja teatrore “7 minuta”. Mbrëmë u shfaq shfaqja “Burrnesha” për të vijuar dhe me “Shtëpiakët e dëshpëruar”. Këtë mbrëmje do të jetë në skenë performanca artistike “Nasty/Beauty”, ndërkohë që në teatrin Metropol ishte shfaqja “Gjysmë jeta e Marie Kuri-së”, si dhe shfaqja “Zbulimi”. Nesër që është dhe nata e fundit e festivalit është performanca “HAVEIT”, si dhe shfaqja “Martesa me kushte”. Festivali “FemFest” edicionin e tij të parë e zhvilloi në vitin 2022 në Tiranë. “FemFest” është një festival feminist arti dhe kulture i krijuar nga “Bas Art”. Por këtë vit në edicionin e tretë, “FemFest” nisi udhën e tij pasditen e 4 marsit në sallën e madhe të “ArTurbinës” për të përfunduar më 8 mars. Ashtu sikundër edhe vitin e kaluar, “FemFest” është ndërtuar me një platformë shfaqjesh mbresëlënëse, debatesh, e diskutime me fokus gruan. Pjesë e festivalit do të jenë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here