Vllaznia e Tirana kalojnë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, bien Erzeni dhe Teuta

0
59

Kupa e Shqipërisë dhuroi emocione të forta ditën e djeshme, pasi Tirana dhe Vllaznia u kualifikuan më tej për në gjysmëfinale, por ato vuajtën shumë për ta përmbushur objektivin, pasi e siguruar “biletën” e kualifikimit nga koha shtesë e madje Tirana nga goditja e 11-metërshave. Pas mbylljes së ndeshjeve çerekfinale, katër ekipet që shkojnë tashmë në gjysmëfinale janë Egnatia, Kukësi, Tirana dhe Vllaznia. Me siguri që për Tiranën dhe Kukësi është ndoshta mundësia e vetme për trofe dhe për të kapur Europën, kurse shkodranët dhe rrogozhinasit do të tentojnë të bëjnë “bis”, pra edhe titullin edhe Kupën e Shqipërisë.

Vllaznia thyen në shtesë Erzenin

Shkodranët triumfuan me rezultatin e përgjithshëm (7-3), ndërsa ndeshja e parë ishte mbyllur me fitoren 2-1 të shijakasve, “kuqeblutë” ia dolën që brenda kohës së rregullt të sfidës së dytë të barazonin dhe vetëm pas shtesës mundën që të triumfon, me këtë përballje që përfundoi me rezultatin 6-1. Ishte Mala ai që zhbllokoi ndeshjen në “Loro Boriçi”, me golin e shënuar në minutën e 13-të, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm. Në minutën e 40-të Erzeni mbeti me dhjetë lojtarë, pasi Atanda u ndëshkua me karton të kuq dhe la ekipin e tij në inferioritet numerik, gjë që u shfrytëzua nga vendasit, me Balajn që realizoi golin e dytë të kësaj përballjeje për skuadrën e Osmanit. Megjithatë një autogol i Stojanoviç në minutën e 63-të barazoi sërish rezultatin e përgjithshëm, duke bërë që sfida të shkonte në kohën shtesë. Ishin pikërisht minutat e shtesës që vulosën gjithçka, me Gomes që realizoi tregolësh në minutat 98-të, 112-të dhe 120-të, teksa Balaj nga ana tjetër gjeti golin e dytë personal në minutën e 106-të. Në fund ky takim u mbyll me rezultatin 6-1, duke i dhënë Vllaznisë mundësinë e kalimit në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, teksa për Erzenin mbyllet këtu ky rrugëtim.

Tirana kalon teutën nga penalltitë

Tirana shkon në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra bardheblu barazoi 1-1 (ndeshja e parë 0-0) gjatë kohës së rregullt, por ishte me fat më “ruletën” e penalltive, ku pas shtatë serive dhe 14 goditjeve në total fitoi 6-5. Teuta fitoi një 11-metërsh në minutën e 25-të pas gjuajtjes së Dajës, që u ndal me dorë nga Përgjoni. Ekzekutimin nga pika e bardhë e mori përsipër Peposhi, i cili nuk gaboi, 0-1. Pjesa e dytë nis me dy traversa, një e goditur nga Hoxhallari i Tiranës e tjetra nga Daci i Teutës. Në të 73-tën kryesori do të vërshëllente për 11-metërsh në favor të Tiranës, por prekje me krah e topin nga Gjini, pas verifikimit të pamjeve nga gjyqtari në monitorin e VAR-it, u konsiderua e rregullt. Gjithsesi, goli i Tiranës do të vinte në limitet e kohës së rregullt nga Latifi, që shfrytëzoi një top të kthyer me dorë, jashtë zonës madje, nga portieri i Teutës, duke e dërguar topin në rrjetë. Rastet nuk munguan as në kohën shtesë, por rezultati mbeti i pandryshuar, 1-1. Në “ruletën” e penalltive  emocionet ishin të mëdha, pasi vetëm pas goditjes së 14-të, të cilën e humbi Jazxhi, nisi festa bardheblu. U gjuajtën shtatë seri, teksa në serinë e tretë dështuan si Jonuzi i Tiranës dhe Kotobelli i Teutës, derisa erdhi momenti kur në serinë e shtatë dështoi Jazxhi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here