Paraqitja e lojtarëve shqiptarë me skuadrat e tyre në Europë është përgjithësisht e mirë. Madje këtë performancë të mirë e kanë edhe disa lojtarë të rinj të talentuar, që kanë mundur të ngjiten deri në klubet e rëndësishme në top-5 ligat e mëdha të kontinentit. Kështu, Tim Civeja është kthyer menjëherë në një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës së Karlsruhes në Bundesligën 2 dhe dje ka lënë shenjën e tij në këtë kampionat me një gol të pabesueshëm.
Në ndeshjen që skuadra e tij luante në transfertën përballë Bohumit, Civeja shënoi golin e avantazhit të përkohshëm në minutën e 51-të me një goditje nga vija e mesit të fushës, duke mposhtur portierin kundërshtar që u befasua. Për 24-vjeçarin ky ishte goli i dytë në këtë sezon në Bundesligën 2, ku iu bashkua gjatë kësaj vere ekipit të Karlsruhes, ndërsa më parë kishte luajtur me Sarbruken në kategoritë e ulëta. Ai ka përfaqësuar Gjermaninë me ekipet e moshave, por vendosi ta braktiste atë duke zgjedhur Shqipërinë me të cilën ka luajtur deri me ekipin Shpresa.
Durmishi nuk grumbullohet me U19, preferon Juventusin e të rinjve
Armand Durmishi duket se luan “cic-mic” me ekipet kombëtare të moshave. Siç dihet, trajneri Fatjon Tafaj ka vendosur për 21 lojtarët që do e shoqërojnë te Kombëtarja U-19, ndërsa në prag janë sfidat kualifikuese me Qipron dhe Armeninë.
Bie në sy rikthimi i Gabriel Kullës, i cili në shtator u ftua nga Bushi tek ekipi U-21. Arman Durmishi vazhdon të mungojë. Sulmuesi i Juventusit i shmang sërish kuqezinjtë për të luajtur me rezervat bardhezi në Serinë C. Shenjë kjo që mund të ndryshojë. Janë mediat sportive që shkruajnë se Arman Durmishi po i injoron moshat e Shqipërisë që nga muaji mars.
Është hera e tretë radhazi që nuk shfaqet në listat e kuqezinjve. Në anën tjetër qëndron i përqendruar te Juventusi dhe rezervat e tij. Së fundmi për 18-vjeçarin është raportuar se Sllovenia U-21 ka shfaqur interes. Në fakt rezulton se sulmuesi nuk mund të largohet në vazhdim nga Shqipëria. Rregulloja e FIFA-s e pengon duke qenë se jo vetëm e ka kërkuar njëherë ndryshimin e federatës, por edhe ka luajtur në ndeshje zyrtare me kuqezinjtë.
Kështu nuk mjafton që ka lindur në Slloveni dhe mban atë shtetësi. FIFA si gjithmonë thotë fjalën e fundit. Kujtojmë se Shqipëria e humbi këtë muaj një talent për sulmin. Pikërisht Enis Rexhepi vendosi të largohet pas ftesës nga Foda në ekipin e parë të Kosovës.
Mehmeti i shqetësuar për situatën e tij te Ipsuiçi
Anis Mehmeti nuk pranoi që Ipsuiç ta shiste dhe të rikthehej në Championship. Sulmuesi i Kombëtares vendosi të rrezikonte, me ëndrrën për të luajtur në Premier Ligë. Sot luhet java e 10-të për Ipsuiç në Premier Ligë, pikërisht kundër Bornemuth. Mehmeti ndodhet sërish në tribunë.
Plot 10 ndeshje ku Mehmeti nuk përfshihet në listën e 20 lojtarëve. Si ai, që nuk janë përfshirë në skuadrën e Premier Ligë për Ipsuiç gjatë këtij sezoni, janë edhe portierët David Baton dhe Aleks Palmer, si edhe mesfushori Xhek Tejlor. Merkato e dimrit mund të sjellë një largim. Kjo është edhe periudha më e vështirë në karrierën e Mehmetit.







































