Google search engine
Home Kulture Rozi Kostani: “Epoka para gjyqit”, nga Lidhja e Prizrenit te Haga, një...

Rozi Kostani: “Epoka para gjyqit”, nga Lidhja e Prizrenit te Haga, një histori që kërkon reflektim edhe sot

0
7

Një histori në skenën teatrore që rikthen në vëmendje përpjekjet e shqiptarëve për të mos lejuar copëtimin e vendit, përmes Lidhjes së Prizrenit dhe figurave që udhëhoqën këtë çështje kombëtare. Vepra “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut, përshtatje dramaturgjike “Dy gjyqe- një histori” nga Rozi Kostani vjen premierë në skenën e Teatrit Metropol këtë nëntor.

Rozi Kostani, një nga regjisoret e njohura të teatrit shqiptar, ka sjellë ndër vite në skenë vepra të ndryshme, përmes të cilave ka përcjellë mesazhe dhe ka nxitur reflektim te publiku. Në vijim të krijimtarisë vjen edhe kjo premierë teatrore me regji prej saj. Në intervistën për gazetën “SOT”, Kostani ndalet te rikthimi i kësaj vepre në skenë, paralelizmi mes dy gjyqeve, ndërthurja e historisë me aktualitetin dhe mesazhi që synon t’i përcjellë publikut përmes këtij inskenimi.

-Si regjisore, ju keni sjellë vepra të ndryshme në skenat tona teatrore, duke trajtuar tema dhe periudha të ndryshme. Këtë herë keni zgjedhur dramën “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut. Çfarë ju shtyu drejt kësaj vepre dhe çfarë gjetët në të që ju duket e rëndësishme për publikun e sotëm?

Në fakt, ngacmimi i parë ishte thirrja e Teatrit Metropol në Tiranë për drama shqiptare. Duke rikthyer në kujtesë ato drama që mua më kanë lënë përshtypje apo më kanë ngacmuar gjatë rrugëtimit tim, m’u kujtua vepra “Epoka para gjyqit”, e cila për mua është një dramë epike, e shkruar nga Ekrem Kryeziu. Nga një intervistë me të ai shprehet se këtë dramë  e ka shkruar për 12 ditë në vitin 1978, e cila përkon me 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Ky ishte edhe një tjetër ngacmim për mua, pasi kjo vepër ngre një mesazh të rëndësishëm: Shqipëria ka nevojë të mbrohet. Mendoj se është pikërisht koha që kjo vepër të vihet në skenë. Ajo i flet shumë mirë edhe aktualitetit, sepse qasja historike është pothuajse e ngjashme me atë që po përjetojmë sot, me protestat kundër copëtimit të vendit tonë. Nëpërmjet konceptit tim regjisorial synoj rizgjimin e kësaj vepre -historike muzeale në kohën e sotme, ti flasë popullit tim, ti flasë të rinjve edhe për të përcjellë mesazhin se është jashtëzakonisht e rëndësishme të jemi bashkë dhe ta duam vendin tonë.

– Si keni arritur ta shndërroni këtë histori në një rrëfim teatror që të mos mbetet thjesht një kujtesë historike, por të flasë edhe për të tashmen?

Unë e kam konceptuar si një shfaqje-muze, e cila në themelin e saj ka gjyqin, por që unë e kam ndërtuar mbi paralelizmin e dy gjyqeve të mëdha që u janë bërë shqiptarëve, gjyqi ndaj dy prijësve të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sulejman Vokshit dhe gjyqi i Hagës ndaj katër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qëllimi i të dyja këtyre gjyqeve, sipas konceptit tim, është dënimi i këtyre personaliteteve të luftës dhe i këtyre prijësve, me pretekstin se ata duhet të gjykohen individualisht për krime lufte.

Pikërisht ky krahasim, kjo dëshirë për ta sjellë historinë në kohën e sotme, më shtyu që veprës t’i  vë një nëntitull “Dy gjyqe – një histori”. Pra, historia përsëritet. Nëse Porta e Lartë i akuzonte Abdyl Frashërin dhe Sulejman Vokshin, duke kërkuar t’i trajtonte si kriminelë dhe duke mos dashur të evidentonte çështjen kombëtare, unë kam parë një paralelizëm me atë që ndodh në Hagë.

Dua të theksoj se nuk jam kundër dënimit të njerëzve për krime, nëse ato janë kryer. Por në rastin e luftës së UÇK-së, për mua lind pyetja se pse kjo çështje duhej të merrte një përmasë të tillë ndërkombëtare dhe pse lufta duhej të paraqitej para botës sikur të ishte udhëhequr nga kriminelë. Pse nuk mund të gjykoheshin ata në vendin e tyre? Kjo është ajo që dua të ngre përmes shfaqjes: disa pikëpyetje mbi këto dy gjyqe, duke vënë përballë dy periudha historike dhe duke e bërë të dukshme mënyrën se si historia mund të përsëritet.

-Cili është mesazhi kryesor që dëshironi t’ia përcillni publikut përmes këtij inskenimi?

Unë dua t’i them publikut shqiptar që ta dojë më shumë vendin e tij dhe të mos ketë ndasi apo të luftojë kundër ndjenjës patriotike, sepse duke u bashkuar rreth patriotizmit, ne lidhemi më fort me njëri-tjetrin dhe e duam më shumë veten në këtë tokë. Nëpërmjet veprës -historike muzeale  dua të them se edhe sot jemi në të njëjtën situatë: dy gjyqe po u bëhen shqiptarëve, por në fakt historia po mbetet e njëjta.

-Në këtë produksion keni bashkuar një kast të madh aktorësh, duke ndërthurur breza të ndryshëm dhe duke përfshirë edhe dy artistë që kanë qenë pjesë e shfaqjes së vitit 1980. Sa e rëndësishme ishte për ju kjo ndërthurje brezash dhe çfarë i sjell ajo shfaqjes së sotme?

Unë kam pasur edhe kaste të tjera të mëdha aktorësh, por kasti i kësaj radhe, në dramën që po punoj për ta sjellë premierë në skenën e Metropolit është më i madhi. Janë më shumë se 40 veprues skenikë. Dua të përmend se në vitin 1980 vepra teatrore “Epoka para gjyqit” është luajtur në skenën e Teatrit Popullor, në atë kohë me regji të Piro Manit. Në shfaqjen time kam dy aktorë që kanë qenë pjesë edhe e asaj shfaqjeje që janë Ahmet Pasha dhe Sokol Angjeli. Jam vërtetë e lumtur për këtë, sepse ata arrijnë ta luajnë këtë vepër në dy kohë të ndryshme.

Profesor Ahmeti ka interpretuar rolin e Abdyl Frashërit, si dublant i Kadri Roshit, ndërsa Sokol Angjeli ka qenë konsulli austro-hungarez. Jam e lumtur që kam realizuar këtë ndërthurje brezash. Rolin e Abdyl Frashërit do ta interpretojë Vin Bejleri, ndërsa Sulejman Vokshin aktori Ismet Azemi nga Kosova. Jam përpjekur të përfshij edhe aktorë nga Kosova, për ta sjellë sa më pranë realitetit historik këtë vepër. Në gjyqin e Portës së Lartë, Ahmet Pasha interpreton kryetarin e gjyqit, Tursun Beu, nënkryetarin, luhet nga Dritan Boriçi, ndërsa Mexhit Beu nga Marius Dhrami.

Paralelisht me ta kemi edhe grupin e ndërkombëtarëve, të cilin e kam sjellë në kohën e sotme, duke përfshirë edhe gjyqin e Hagës. Në role në shfaqje janë dhe Milto Kutali, Genc Fuga, Robert Toçe, Elia Zaharia, Edvin Mustafa, ndërsa Madalenën, Klesta Shero, Xhino Musollari, Klea Konomi dhe djali i saj Dimtri Konomi, Serxhio Danga, Urim Aliaj, Kastriot Ramollari, etj.

-Në një kohë kur dramaturgjia bashkëkohore zë një vend të rëndësishëm në skenat tona, sa e domosdoshme është të rikthehemi te veprat me karakter historik dhe kombëtar?

Është shumë e rëndësishme të rrëfejmë historinë tonë. Teatri është mediumi më i lartë për ta rrëfyer historinë. Në çdo vend të botës vihen në skenë vepra historike, të cilat ndërgjegjësojnë dhe i bëjnë të rinjtë të kuptojnë prejardhjen e tyre, nga kanë ardhur.

Kështu ata bëhen më të qëndrueshëm në ndërtimin e personalitetit dhe identitetit të tyre. Është shumë e rëndësishme që drama historike të jetë e pranishme në teatër, pasi ajo formëson te brezat e rinj identitetin kombëtar dhe vetëdijen për historinë shqiptare. Kjo dramë pritet të jetë në skenën e Metropolit gjatë festave të Nëntorit.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here