Google search engine
Home Kulture Ekspozita “Verë-23” në Galerinë e Artit Tiranë, prezantohet një pjesë e veprave...

Ekspozita “Verë-23” në Galerinë e Artit Tiranë, prezantohet një pjesë e veprave të fondit, i cili po pasurohet dita-ditës

0
212

Ekspozita “Verë-23” u çel me punime në pikturë, grafika dhe skulptura në Galerinë e Artit Tiranë. Tematika të ndryshme gjejmë të trajtuara në punimet që janë ekspozuar këto ditë vere në GAT, por dhe koha që jeton artisti reflektohet në disa prej veprave. Galeria e Artit Tiranë në ditët në vazhdim do të jetë e hapur për publikun e kryeqytetit, me ekspozitën “Verë-23”, ku prezantohet një pjesë e veprave të fondit të saj, i cili po pasurohet dita-ditës. Ekspozita “Verë -23” bëhet pjesë e veprimtarive që po zhvillohen këtë sezon veror, ku në të tre sallat e galerisë janë vepra të fondit që janë dhuruar kryesisht nga artistët që ishin pjesëmarrës në Bienalen Ndërkombëtare të Grafikës, që u zhvillua në Galerinë e Artit Tiranë në vitin 2022, por nuk mungojnë dhe vepra të artistëve të njohur shqiptarë, që ia kanë dhuruar institucionit. Në këtë ekspozitë veç artistëve nga Shqipëria janë dhe vepra të artistëve si nga Polonia, India, Kina, Izraeli, Egjipti, Gjermania apo dhe shteteve të tjera. Në ditët e verës artdashësit shqiptarë, por dhe turistët e huaj që vijnë në Tiranë do të gjejnë në GAT një ekspozitë të re, veprat e fondit të saj që janë punime në teknika të ndryshme, por si institucion i ri i artit në kryeqytet është dhe galeria, ku që nga koha që u hap dhe deri tani vazhdon me një aktivitet të pasur artistik. Sapo futesh në Galerinë e Artit Tiranë të ngjallin kureshtjen punët e artistëve të huaj si Paulina Bolak nga Polonia, Nutan Kishor Nishad nga India, Meghna Dev Burman nga India, Eman Osama -Egjipt, Jacueline Javarez Arcos nga Meksika, Surasak Sormsena nga Tajlanda, Victor Manuel Hernandez Castillo- Meksikë, Zhang Minje nga Kina, etj, që janë në sallën e kuqe. Në sallën e bardhë në GAT nga veprat e fondit gjejmë punime të autorëve Alejandro  Juarez Arcos-Meksikë, Victor Lipkin nga Izraeli, Lorenzo Gori nga Gjermania, Mikael Kihlman nga Suedia, Alejandro Coirini nga Argjentina, Dan Obama nga Japonia, Atanur Dogan nga Turqia, etj, ndërsa salla gri vijon me veprat e fondit të autorëve si Zoltan Csomos nga Hungaria, Alicja Hasiak-Matczok Indi, Liu Zhenjig nga Kina, Michaila Voicu nga Polonia, etj. Në veprat e fondit në ekspozitën “Verë -23” spikat një krijimtari e pasur, ku në punët e artistëve shqiptarë gjejmë dhe ato të skulptores Mira Kuçuku. Kemi të bëjmë me një artiste, që spikat për nga origjinaliteti, forca krijuese, njohja e teknikave të qeramikës, etj, që pak kohë më parë hapi dhe një ekspozitë të saj personale në GAT, por nuk ka munguar dhe në ekspozita të tjera në grupe artistësh. Veprat e fondit do të vijojnë dhe më tej që të ekspozohen në Galerinë e Artit Tiranë gjatë kohës kur në kalendarin artistik të aktiviteteve ka periudha, që nuk janë ekspozita personale të artistëve apo të grupeve të ndryshme të tyre.

Ekspozita “Verë-23” në Galerinë e Artit Tiranë,Ekspozita “Verë-23” në Galerinë e Artit Tiranë,Ekspozita “Verë-23” në Galerinë e Artit Tiranë,

Artistët dhe bienalja

Galeria e Artit Tiranë (GAT) tashmë është një hapësirë, ku të gjithë artdashësit, por dhe studiues, kritikë arti, studentë, të rinj mund të gjejnë ekspozita që hapen herë pas here, por nuk mungojnë dhe veprimtari të tjera më në fokus artin. Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës ishte një eveniment i rëndësishëm i organizuar për herë të parë në vendin tonë, por kjo falë vizionit të Galerisë së Artit Tiranë, për të arritur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, me artistë nga 49 shtete të botës. Më shumë se 500 vepra u ekspozuan në ambientet e GAT. Nga data 25 tetor-25 nëntor 2022, patëm mundësi të gjithë të përjetojmë emocionet e bukura të çeljes së një ekspozite kaq të veçantë. Një pjesë e madhe e këtyre punimeve u bënë pjesë e fondit të Galerisë së Artit Tiranë, falë dëshirës dhe optimizmit të vetë artistëve për t’i dhuruar ato. Në bienale merrnin pjesë artistë nga Argjentina, Bullgaria, Belgjika, Kanadaja, Egjipti, Estonia, Izraeli, Kosova, Kroacia, Suedia, Uruguaj, Gjermania, Japoni, etj. Nga Shqipëria 50 artistë pjesëmarrës, ku pjesën më të madhe e zunë të rinjtë. Punime me të gjitha teknikat e grafikës u ekspozuan në bienale, ku ndjehej shkolla e artit të grafikës. Një aktivitet me rëndësi jo vetëm për Tiranën, por dhe ndërkombëtar, ku këtë stinë vere veprat në bienale, që tashmë janë pjesë fondit të GAT publiku i gjen në “Verë -23”

Ekspozita “Verë-23” në Galerinë e Artit Tiranë,Ekspozita “Verë-23” në Galerinë e Artit Tiranë,

Galeria e Artit Tiranë dhe fondi me veprat artit

Galeria e Artit Tiranë hapi dyert në ditët e para të muajt nëntor 2021, si institucioni më i ri i artit në kryeqytet. Pranë kësaj galerie, që nga hapja deri tani është krijuar fondi me veprat e artit, që përmban rreth 300 vepra, por që vijon të pasurohet nga dita në ditë. Por Galeria e Artit Tiranë (GAT) nuk është thjesht një galeri, por dhe një vend pikëtakimi mes artistëve të gjuhëve të ndryshme artistike, kuratorëve, historianëve dhe kritikëve të artit. Galeria e Artit Tiranë ( GAT) u hap për artistët si hapësira më ideale për artin pamor në Tiranë, dhe me një staf të përkushtuar. Dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” është piktor, grafist, studiues dhe drejtor i Galerisë së Artit Tiranë, në fjalët e tij theksoi atë kohë se është e konceptuar si një galeri, e cila është për të gjitha mediumet e arteve. GAT ndodhet në rrugën e “Kavajës”, në godinën ku është dhe prefektura. Një ambient, ku janë 3 salla, që lidhen me njëra -tjetrën dhe përbëjnë një sipërfaqe komode. Por po punohet dhe për një muze me veprat e artit, ku hapja e tij pritet të jetë në një tjetër moment. GAT në vijim do të ketë një aktivitet të ngjeshur artistik, ku nuk do të mungojnë dhe bashkëpunime me institucionet e tjera në vend apo dhe me galeri të huaja në shtete të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here