Anastas Kostandini: Mozaiku te Muzeu Historik Kombëtar ishte në gjendje degradimi, debati tani pas restaurimit një show

0
67

Restaurimi i mozaikut “Shqipëria” te fasada e Muzeut Historik Kombëtar ka rikthyer debatin. Autorë të veprës, studiues dhe më gjerë janë përfshirë këto ditë në një debat mbi veprën, e cila u vendos në muze në nëntor të vitit 1981. Debati u rikthye se përse në mozaikun “Shqipëria” të muzeut nuk janë simbolet komuniste. Vendimi për heqjen e yjeve dhe librit të partisë nga mozaiku është marrë nga qeveria në vitin 1993. Piktori Anastas Kostandini, si një nga autorët e veprës shprehet se debati tani është i tepruar. Sipas tij, vepra ishte në degradim dhe është bërë një punë restauruese e mirë. Kostandini thotë se heqja e simboleve në vitin 1993 shpëtoi dhe veprën. “Mozaikut “Shqipëria” me ndërhyrjen që iu bë në vitin 1993 nga kolegu ynë, ajo ishte një ndërhyrje shumë efikase dhe  e zgjuar, e cila e shpëtoi mozaikun nga një lloj urie dhe kontestimi shumë i egër që ishte me ndryshimin e sistemeve. Ylli mbrapa që ka qenë pjesë e kompozimit, u hoq ylli në flamur dhe libri që ishin 3 elementë që mozaiku i ka pasur, por nuk duhet të bëhen arsye për të bërë një debat të tillë. Debat i tepruar për arsye show. Nuk ka pse të kapet peng mozaiku në momentin që është restauruar dhe është mbyllur ajo histori. Momenti i vitit 1993 i përket një historie”, thotë piktori.

Puna restauruese

Restaurim i mozaikut u mundësua falë programit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Grupi i punës u drejtua nga restauratori Agron Islami, ku siç shprehet piktori Kostandini tashmë rëndësi ka që vepra shpëtoi. “Vepra ishte në gjendje degradimi të plotë. Projekti i BE-së i dha financim duke e restauruar brenda ligjeve të restaurimit. Thjesht është marrë gjendja e mozaikut që erdhi deri në atë moment. Restauratorët kanë bërë një punë shkencore. Diskutimi tani më duket kot. Kjo është të gjendet Kola në punë. Mozaiku ka kaluar sprovën e zjarrit, Agim Nebiu hoqi mjaftueshëm, hoq në minimum ato që mund të hiqeshin, sepse i kërkonin dhe gjëra të tjera. Por u hoqën këto 3 elementë, ku vepra qëndron në bukuri. Korrigjimi që është bërë në 1993 është vit i largët, 30 vjet para. Në rast se nuk do të hiqeshin ato elementë atë kohë mozaiku do të ishte asgjësuar”, thotë Kostandini. Piktori Anastas Kostadini një nga autorët e veprës ka reaguar shumë më parë për gjendjen problematike ndër vite. Sipas tij edhe programet restauruese nuk kanë qenë që të riviheshin simbolet, që u hoqën dikur.  “Programeve restauruese nuk mund ti kërkoje, që të shtonte ose të vinte në vend elementët që ishin hequr. Kjo është absurde dhe nuk ka qenë në kërkesën e programit dhe të projektit. As ne nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë. Tani dalin disa që duan të bëjnë show, por le të hapin debate në përgjithësi për veprat e artit, jo konkretisht për këtë në momentin kur mozaiku është restauruar. Edhe në atë gjendje që është me gjithë atë që i ka ndodhur është po ai mozaik dhe mesazhin e ka të plotë.  Nuk duhet të kapet peng mozaiku për këtë debat. Ta lënë mozaikun, mos merren më me të, por ta shijojnë”, thotë ai. Mozaiku “Shqipëria” i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar u përurua në nëntor të vitit 1981. Vepra është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Restaurimi i cili zgjati për rreth 2 vite, përfundoi pak ditë më parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here