Fatos Klosi i përgjigjet Sali Berishës: Ti je fajtori kryesor i vrasjeve në Tropojë, të gjitha informacionet që disponoj janë dërguar në Prokurori, Haklajt nuk i manipulova unë dhe Edi Rama, ja si qëndron e vërteta

0
120

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i është përgjigjur Sali Berishës, i cili e akuzoi për manipulime dhe vrasje kur ishte në krye të. Berisha përpara zgjedhjeve të 14 majit ka shpërthyer në akuza të rënda në drejtim të Klosit. Ai tha se Aishe Haklaj është sjellë në SPAK nga Edi Rama dhe Fatos Klosi për të bërë fjalë para zgjedhjeve. Berisha tha se nuk ka asnjë njohje me Haklajt, të cilët i kanë të drejtë të bandës me uniformë. Sipas tij, Haklajt i manipulon Fatos Klosi, njeriu që iu vuri minat dhe i vrau. “Ata nuk kanë asnjë lidhje me mua. Kanë qenë shumë të lidhur me të majtën. I manipulonte Fatos Klosi edhe pse iu vuri minat. Me mina u vranë një pjesë, nuk ua vunë ndodhët. Ua vunë pasi u vranë punonjësit e OSBE dhe ua vuri shteti. E ka sjellë në SPAK Klosi me Ramën që të zhurmojë. SKAP është parti, e mbajtën në PS. Haklajt u vranë shumë, por edhe ata kanë më shumë, ishin bandë shtete me uniforma. Si do kemi frikë nga ata? Ajo është në misionin e SKAP”, tha Berisha. Fatos Klosi nuk iu përgjigj menjëherë këtij të fundit, por zgjodhi që reagimin ta bënte pasi të përfundonin zgjedhjet e 14 majit. Për gazetën “Sot”, Klosi ka deklaruar ditën e djeshme se Sali Berisha është fajtori kryesor i vrasjeve që ndodhën në Tropojë. Ai tha se çdo informacion që ka patur në dorë për dosjen “Tropoja” ia ka dërguar Prokurorisë. Klosi kërkon nga drejtësia hetim të thelluar, pasi ka personazhe që janë akoma gjallë të cilët disponojnë fakte që kanë mbetur për t’u sqaruar. Nga ana tjetër ai tha se akuzat e Berishës se ka manipuluar Haklajt bashkë me kryeministrin Rama për të ndikuar në zgjedhje nuk është e vërtetë. Gjithashtu sipas tij, Berisha nuk do ta japë dorëheqjen pasi plani i tij është për të bindur amerikanët se ai pëlqehet nga demokratët. Në fund ai tregon se SPAK nuk po nis arrestimet VIP pasi ka shumë dosje dhe arsyeja tjetër sipas tij është se drejtësia ka qenë e trembur nga politika.

-Zoti Klosi, para pak javësh u hap dosja e Haklajve, Sali Berisha tha se Aishe Haklaj është sjellë në SPAK nga Edi Rama dhe Fatos Klosi për të bërë fjalë para zgjedhjeve. Sipas tij, Haklajt i manipulon Fatos Klosi, njeriu që iu vuri minat dhe i vrau. Si i komentoni këto akuza të rënda?

Historia e Tropojës dhe numri i vrasjeve që ka ndodhur është i madh, praktikisht Berisha është fajtori kryesor jo se i ka bërë ai, por sepse ka krijuar situatë të tillë që Tropoja ishte e ndarë në dy grupe që luftonin edhe me armë dhe nga fajtorët kryesorë është Berisha. Ai gjithmonë justifikohet, por këto s’kanë lidhje farë me Edi Ramën, me mua është një kohë kur kam qenë në krye të SHISH, por unë skam asnjë lidhje me këtë problem, ne jemi përpjekur që ta ndjekim situatën në Kosovë me aq sa kemi pasur mundësi dhe kaq. Ndërkohë, unë kam thënë gjithçka që kam ditur, është shkruar dhe janë dërguar si informacione dhe prokurorisë dhe atyre që duhet t’i dinin. Drejtësia duhet t’i rikthehet atij problemi sepse janë vrarë shumë njerëz, ca ka ndodhur dihet, por kush e ka shtyrë atë situatë që ndodhën aq shumë vrasje. Akuza ka shumë dhe nuk mendoj se duhet të mbeten të paprovuara, por sistemi i drejtësisë duhet që të jap drejtësi aq sa mundet pas kaq shumë kohësh. Shumica që dinë janë akoma gjallë ka edhe fakte që kanë mbetur për t’u sqaruar.

-Meta dhe Sali Berisha pësuan humbje katastrofike në zgjedhjet e 14 majit, por përsëri nuk dhanë dorëheqje duke paralajmëruar luftë ndaj Ramës për vjedhje votash, mendoni se dyshen anti-SHBA e presin lajme të hidhura?

Gjithmonë sebepi që humbnin sipas tyre, ka qenë vjedhja e votave. Janë bërë akuza shumë, është një pretekst që nuk justifikon me asgjë, pastaj ne patëm rastin e 3 bashkive që ishin me votim elektronikë dhe dolën njësoj si bashkitë e tjera. Janë pretekste para njerëzve të tyre, të cilët i kanë mbushur  me shpresën se do të fitojnë, por duhet dhënë llogari, ata nuk japin llogari dhe gjejnë pretekste.

-Koalicioni i “non gratave” humbi thellë edhe në vendlindjet e tyre, Meta në Skrapar dhe Berisha në Tropojë, pse gjithë kjo urrejtje ndaj tyre?

Ata kanë fituar në 7 bashki të vogla, kështu që as Skrapari as Tropoja s’kanë pse të jenë ndryshe nga të tjerat, janë krahina të tyre, por situata është e njëjtë në të gjithë Shqipërinë. Nuk është problem vjedhje këtu është votë masive që është kundër tyre, Partia Socialiste ka marrë votat e asaj, ato që ka marr gjithmonë, krahasuar me vitet e kaluara Partia Socialiste këtë vit ka marr 8 mijë vota më pak, ndërsa Partia e Lirisë (LSI) dhe PD ka marr 250 mijë vota më pak, pra mungojnë votat e tyre dhe më duket pa kuptim që të ndikohen sepse janë votuesit e tyre që nuk kanë shkuar që të votojnë për Partinë Demokratike e LSI që e kanë bërë tani PL. Ata kanë humbur shumë sepse nuk janë më të besuar, votuesit e PD më shumë besuan Amerikën sesa Sali Berishën.

-Po përflitet se vendin e ish-kryeministrit Sali Berisha mund ta zërë Belind Këlliçi, mendoni se mund të largohet vërtet Berisha?

Berisha e tha se nuk do të largohet, sepse ai nuk u kthye për të ikur por për të realizuar planin  e  tij për të bindur amerikanët se ai pëlqehet nga demokratët. Ai nuk u kthye  për të mposhtur socialistët, por ti treguar Amerikës që keni gabuar me cilësimin që keni bërë sepse  mua më duan votuesit, mirëpo kjo nuk i eci. Vendit i duhet një opozitë e fortë, por kjo opozitë me Berishën nuk është e fortë dhe këto zgjedhje e treguan këtë gjë. Edhe ambasadorja tha ata që i shkojnë pas Berishës nuk kanë punë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Berisha e ka deklaruar se nuk largohet nga Partia Demokratike.

-Si e shihni fitoren e Edi Ramës? Mendoni se mandatin e katërt e ka në xhep, duke parë këtë rezultat të thellë në këto zgjedhje?

Ka shumë kohë për zgjedhjet e ardhshme, por këto zgjedhje nuk e treguan në rritje Partinë Demokratike që është kundërshtar i PD, por në rënie dhe të shkon mendja se nëse vazhdon kështu  që më tepër me Berishën në PD nëse do të qëndroj aty ende mund të ketë  edhe një mandat të  4. Por që do doja që mandatin e  4 PS ta marr me punë dhe shpresoj s e kështu do të jetë. Nuk do thosha që PS do e marr mandatin e 4 sepse është Partia Demokratike e dobët, por sepse do të punoj shumë dhe do të realizoj premtimet që ka bërë për të marr një mandate të 4.

-Si e komentoni mesazhin e fortë të ambasadores së SHBA menjëherë pas zgjedhjeve se ka ardhur koha për arrestime VIP?

Kjo kohë ka qenë nuk është se na ka munguar, por këto zgjedhje treguan se populli zgjedh të besoj Amerikën. Ajo thotë ka ardhur koha që mjaft u shty, po pritet që reforma të jap rezultat dhe unë them se nuk kemi se çfarë presim. Deri tani po thoshte që mos i shkoni nga pas tani thotë se ka ardhur koha për arrestime VIP, unë them që le ti bëjnë që të kuptojmë se reforma nuk ka qenë thjesht një parullë por ka qenë një  punë e madhe. E vështirë sepse ka shumë dosje që janë akoma nga drejtësia, nga sistemi i drejtësisë janë larguar shumë të korruptuar dhe drejtësia ka qenë e trembur nga politika, ndërkohë që ata nuk duhet që të tremben nga askush.

Intervistoi: Sidorela Braçja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here