Spanja pësoi humbje nga Zvicra, Enrike: Do të mundim Portugalinë dhe kapim kreun

0
100

Jo të gjitha skuadrat e mëdha europiane po kalojnë momente të mira. Nëse Gjermania ka pasur oshilacione në lojë e rezultat, Italia nuk ka mundur të kapë fare Botërorin, ndërsa shfaqet në krizë edhe Spanja. Kjo tregon se Anglia dhe Franca kanë një shans më shumë në javët në vazhdim. Pas një viti, Spanja pësoi humbjen e parë, me Zvicrën që triumfoi 1-2 në “La Romareda” në ndeshjen e javës së pestë në Nations League. Një humbje që i kushtoi vendin e parë në Grupin 2 të Ligës A, Spanjës, ndërsa në krahun tjetër, ishte një rezultat historik për Zvicrën pasi siguroi fitoren e parë në histori në tokën spanjolle dhe të dytën në duelet direkte pas qershorit të 2010, në Kupën e Botës, Afrika Jugut. Pas humbjes, Enrike deklaroi se përfaqësuesja spanjolle ka ende mundësinë për të marrë vendin e parë, pavarësisht se luan në transfertën e Portugalisë, ndërsa shpjegoi edhe pse vendosi të mos aktivizonte Moratën. “Duhej të bënim më shumë dhe këtu besoj jemi të gjithë dakord. U prezantuam në këtë duel si kryesuesit e grupit dhe e kishim vlerësuar në maksimum këtë ndeshje ashtu si kundërshtarin. Gjithsesi, asgjë nuk ka përfunduar, kemi edhe një ndeshje tjetër dhe do të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren ndaj Portugalisë dhe të rikthehemi në vendin e parë. Morata? E mora në konsideratë, ai është ftuar gjithmonë në kombëtare, të paktën me mua si trajner. Është shumë i rëndësishëm për ne, por mendova të aktivizoja Borja Iglesias për t’i dhënë një shans, nuk asgjë për të thënë më shumë për këtë temë”, tha trajneri. Borja Iglesias debutoi me Spanjën, pasi ka bërë një nisje shumë të mirë në La Liga me Betis duke shënuar 6 gola në 6 ndeshje, por ndaj Zvicrës nuk ia doli të shënonte. Ndërkohë, sulmuesi 20-vjeçar i Athletik Bilbao, Niko Uilliams është një nga emrat e rinj që po bie në sy jo vetëm në La Liga, por edhe më tej. Uilliams ka rënë në radarët e Juventus, me “Zonjën e Vjetër” që ndodhet në moment aspak të mirë dhe i duhet garanci për të ardhmen në sulm. 20-vjeçari, i cili ka kontratë deri në 2024-ën me klubin spanjoll, ka luajtur në 6 ndeshje në këtë edicion të La Liga-s dhe në to ka realizuar 2 gola dhe ka dhënë 2 asist. Mbrëmjen e së shtunës, Niko bëri edhe debutimin me kombëtaren spanjolle, ku tregoi një formë që i la të gjithë pa fjalë. Juve, raportohet se është e gatshme të paguajë plot 20 milionë euro për kartonin e sulmuesit, por vlen të theksohet se vlera e 20-vjeçarit aktualisht është 22 milionë euro dhe nëse vijon të ketë formën me të cilën e ka nisur këtë sezon ajo pritet të shkojë edhe më shumë dhe njëkohësisht pritet që shumë shpejt të jetë nën radarët e disa prej klubeve më të mëdha të ligave kryesore në Europë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here