Një natë filmi dhe takimi me regjisorin Ari Folman në amfiteatrin e Durrësit, ku në mbrëmje shfaqet “Waltz with Bashir”, nesër në Tiranë shfaqet “The Congress”

0
35

Regjisori i mirënjohur Ari Folman do të jetë këtë mbrëmje në skenën e amfiteatrit të Durrësit. Kandidat i çmimit “Oscar” dhe fitues i “Golden Globe”, “Best European Film”, si dhe i 35 çmimeve e 38 nominimeve, në amfiteatrit romak në ora 20.30 do të shfaqet filmi i tij “Waltz with Bashir”. Drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Durrës, regjisorja Anila Varfi shprehet se pas Durrësit do të jetë një tjetër film i regjisorit të njohur në Tiranë. “Kinemaja Ari Folman vjen si premierë nacionale në Durrës e Tiranë. Njëherazi firma e Ari Folman-it do të vendoset në pllakën e “Rruginës së Artit” përpara Teatrit “Aleksandër Moisiu” në krah të firmave të Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Marco Bellocchio, Paolo Sorrentino, etj. Ndërsa në Tiranë në kinema Millenium më 7 shtator ora 21.00 do të shfaqet filmi “ The Congress”, me aktorët Robin Wright dhe Harvey Keitel. Pra për dy net publiku kinemadashës do të prekë nga afër magjinë e një prej kolosëve të filmit autor në botë!”, shprehet regjisorja Anila Varfi. Ndërkaq që edhe Qendra Muzeore Durrës shprehet për këtë mbrëmje filmi, që nuk duhet humbur nga publiku. “Në amfiteatrin e Durrësit, nën kujdesin e drejtores së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Durrës, regjisores Anila Varfi, vjen një natë filmi dhe takimi me regjisorin e mirënjohur Ari Folman, një natë që s’duhet humbur”, thuhet nga Qendra Muzeore Durrës për shfaqjen e filmit.

 Një aktivitet me vlerësime ndërkombëtare

Në muajin gusht edhe Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit lajmëronte se Ari Folman, regjisori i njohur nga Izraeli, vjen në shtator për të prezantuar disa nga filmat e tij para publikut shqiptar, në një aktivitet të organizuar nga “Durrës International Film Festival”. Regjisori izraelit Ari Folman është një nga regjisorët më të mëdhenj të filmit autor në botë. Më 1996, ai realizoi “Santa Clara”, një film me metrazh të gjatë bazuar në novelën e shkrimtarit çek Pavel Kohout. Filmi fitoi 7 çmime të “Izraeli Academy Awards”, duke përfshirë edhe çmimin si regjisori më i mirë dhe filmi më i mirë. Filmi  “Saint Clara” një vit më pas do të ishte filmi, që do të çelte festivalin e filmit në Berlin( Berlinale). Në këtë edicion të Berlinales fitoi çmimin si filmi më i mirë i publikut. Filmi më pas u shfaq në shumë festivale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në festivale të filmit të kategorisë “A” në Europë, ku mori vlerësime të shumta nga kritika e filmit. Në vitin 2008 Ari Folman realizon filmin “Waltz with Bashir” një film dokumentar me një format unik në botë. Ky film gjithashtu fitoi shumë çmime si: Golden Globe for Best Foreign Film, 6 Israel Academy Aëards si dhe shumë çmime të tjera. Ndër arritjet e shumta të filmit “Waltz with Bashir” është dhe nominimi për “Oscar” në “Academy Award”.  Më 2013 regjisori Ari Folman realizoi filmin “The Congress”, një filmi hibrid midis animimit me live action, ku në rolet kryesore janë Robin Wright dhe Harvey Keitel. Ky film u shpall fitues si Filmi më i Mirë Europian (European Academy Awards). Në vitin 2021 Ari Folman realizon filmin “Where is Anne Frank”.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj