Piktori Eldon Luarasi me ekspozitën e parë personale në Tiranë, “Rrëfime” hapet në galerinë FAB

0
94

Ekspozita “Rrëfime” me punimet në pikturë të autorit Eldon Luarasi u hap në galerinë FAB të Universitetit të Arteve. Ekspozita personale e piktorit të njohur vjen e kuruar nga Genc Përmeti. Pas disa ekspozitave vetjake dhe kolektive në Zvicër dhe Itali, piktori Eldon Luarasi hapi dhe ekspozitën e tij të parë personale në Tiranë në galerinë FAB, që vjen me titullin “Rrëfime”. Subjekti kryesor në punët e piktorit Eldon Luarasi është njeriu. Në ekspozitë janë një numër veprash, si portrete, nudo në pikturë, etj. Piktori Eldon Luarasi ekspozita e të cilit u hap mbrëmë në galerinë FAB, thotë mes të tjerave se pjesa më e madhe e punimeve janë bërë në harkun kohor të 4-5 viteve të fundit. “Janë rreth 35 punime në pikturë. Jam fokusuar shumë tek portretet, më ka pëlqyer gjithmonë hetimi psikologjik i njeriut. Në ekspozitë ka portrete, nudo, etj, por subjekti kryesor është njeriu në punët e mia”, thotë piktori. Eldon Luarasi nuk ka shumë vite që është kthyer të jetojë në Tiranë, pasi ka jetuar jashtë Shqipërie. Piktori tregon se arsyeja, që ka munguar me ekspozitë personale më parë në Tiranë është sepse ka qenë larg vendit të tij. “Në Itali kam jetuar një kohë të gjatë, por edhe në Zvicër. Kam pesë vite që jam kthyer në Tiranë. Fillimisht nuk mendoja se do të qëndroja gjatë këtu, por më pas u stabilizova. Kjo është arsyeja kryesore, që unë e kam hapur tani në Tiranë ekspozitën time dhe jo më parë. Por mendova se tani kisha dhe numrin e duhur të veprave dhe pjekurinë artistike për të çelur një ekspozitë”, shprehet piktori Eldon Luarasi.

 Çelësi i suksesit të veprës

Punimet e piktorit Eldon Luarasi janë ekspozuar në tre salla të galerisë FAB. Për autorin, kuratori Genc Përmeti shprehet se Eldon Luarasi është një artist i cili pavarësisht rrethanave jofavorizuese që ju rezervuan nga regjimi komunist si djali i artistëve Mihal dhe Edi Luarasi, nuk u tërhoq nga pasioni i tij për pikturën. “Përmes eksperimentimit me mediumin e vajit dhe temperave ai ju dedikua hulumtimit të qenies njerëzore përmes një gjuhe realiste, por në të njëjtën kohë dhe duke obzervuar dhe nxjerrë në pah të fshehtat që çdo qenie përmban brenda skutave të shpirti njerëzor”, shprehet Përmeti. Ekspozita “Rrëfime” ka punime si portrete, nudo në pikturë apo dhe objektet që janë paksa metafizike, por kuratori Genc Përmeti shprehet se interpretimi është çelësi i suksesit të veprës së Eldon Luarasit. “Eldoni arrin të vizatojë me mjeshtëri, por në të njëjtën kohë të jetë në gjendje të evidentojë pjesë të padukshme të individit, ku intimiteti kthehet në lajtmotiv që shikuesi ftohet ta njohë nga afër dhe ta interpretojë. Dhe pikërisht interpretimi është çelësi i suksesit të veprës së Eldon Luarasit, ku gjithsecili krijon një narrativë të cilin artisti e pranon dhe madje e kthen në një element bashkëbisedimi mes veprës, shikuesit dhe artistit”, pohon kuratori Genc Përmeti. Ekspozita që u hap të mërkurën do të qëndrojë deri me datën 10 shkurt në galerinë FAB.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj