Skandali me Butrintin, Marin Haxhimihali: Institucionet të dalin publikisht me teza të qarta, qasja mediatike të ndahet nga qasja shkencore

0
67

Butrinti është margaritari i sistemit të trashëgimisë kulturore në vendin tonë. Kështu shprehet arkeologu Marin Haxhimihali për Butrintin, sipas të cilit problem është se si menaxhohet si park. Gjatë kësaj kohe dhe çështja e identitetit të Butrintit ka ngjallur reagime, ku arkeologët janë shprehur rreth historisë së tij. Reagimet erdhën pasi pak ditë më parë në një media të huaj, “The Guardian” në shkrimin e saj fantastik për vendet që ofron Shqipëria, midis rreshtave Butrinti cilësohet si një vend antik me rrënoja greke dhe romake. Arkeologët gjatë kësaj kohe janë shprehur se arkeologjia bazohet mbi faktet shkencore dhe sipas tyre duhet të pranojmë, që kemi të bëjmë me një lapsus. Arkeologu Marin Haxhimihali shprehet mes të tjerave se në shkencë nuk mund të përdoret logjika përjashtuese. “Çështja e identitetit në Antikitet është komplekse dhe nuk mund të ndahet me thikë : greke- jogreke, ilire- joilire. Qasja shkencore ndryshon shumë nga ajo mediatike. Në shkencë nuk mund të përdoret logjika përjashtuese ndaj tjetrit pra të thuash se Butrinti qenka grek, romak apo joilir nuk është një pohim shkencërisht i saktë”, shprehet ai. Sipas arkeologut Marin Haxhimihali, nga ana tjetër në pozicionimet mediatike apo divulgative (pra të karakterit “për publik të gjerë dhe jo shkencor” përdoren rëndom klishe të tipit “qytetërim greko-romak” apo “mesdhetar”. “Mendoj se këto dy qasje nuk duhen përzier”, thotë arkeologu mes të tjerave. Reagimi i arkeologut Marin Haxhimihali rreth identitetit të Butrintit vjen në vijim dhe të arkeologëve të tjerë që janë shprehur më parë, si profesorët Neritan Ceka apo Skënder Muçaj. Por për arkeologun Marin Haxhimihali, Ministria e Kulturës është administratorja e trashëgimisë, ndërsa janë institucionet e specializuara ato që duhet të dalin me teza të qarta. “Është e kotë të fajësojmë Ministrinë e Kulturës për sa kohë institucionet e specializuara nuk dalin publikisht me teza të qarta. Tek e fundit Ministria e Kulturës nuk është veçse administratorja e trashëgimisë në pikëpamje kulturore. Cili institucion Akademi, Institut apo Universitet i kërkoi Ministrisë së Kulturës zyrtarisht korrigjimin e një teksti nga siti i internetit dhe ministria nuk e bëri ?”, thotë Haxhimihali. Por arkeologu Marin Haxhimihali sjell në vëmendje dhe problemet që janë me faktet historike në tekstet tona shkollore. Sipas tij, situata është shqetësuese. “Për mua problemi është më i thellë. Merrni në shqyrtim tekstet shkollore që qarkullojnë dhe aty do të zbuloni gjëra rrënqethëse. Edhe më shqetësuese bëhet situata nëse këto tekste krahasohen me ato të vendeve fqinje të Ballkanit. Sot ata që mbrojnë pikëpamjen e etnogjenezës së Ilirëve janë në pakicë dhe rrezikojnë jo pak”, shprehet Haxhimihali.

 Rëndësia në trashëgiminë tonë

Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Arkeologu Marin Haxhimihali thotë se Butrintit ka rëndësi në sistemin tonë të trashëgimisë. “Butrinti është “margaritari 24 karatësh” i sistemit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Prej vitesh sjell të ardhura të konsiderueshme. Çështja qëndron se si menaxhohet kjo pasuri e lakmueshme”, thotë ai. Sipas arkeologut, përvoja 15 vjeçare në terren e Fondacionit Butrinti ka qenë pozitive. Në reagimin e tij arkeologu Haxhimihali shton më tej se në Europë ekzistojnë shembuj të shumtë të menaxhimit efikas në partneritetin publik-privat. “Por skema që do të zbatohet në Butrint përbën një risi për sistemin tonë të trashëgimisë kulturore. Lipset një transparencë e madhe, njëkohësisht në objektivat dhe vizionin menaxhues ashtu edhe në mirëadministrimin e të ardhurave të vjela”, shprehet arkeologu. Në vitin 1992, Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj