“Magjistari i valles shqiptare” është një koncert me krijimtarinë më të bukur, që mjeshtri Panajot Kanaçi realizoi në mbi 50-të vjet karrierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Grand gala sipas TKOBAP, do të jetë mbrëmjen e datës 8 janar. Sokol Marsi, drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve thotë se koncerti do të bëjë bashkë jo vetëm artistë të folklorit, por dhe nga trupat e tjera artistike. “Koncerti vjen në përmasat e një grand gala, sepse është në dimension më të madh, duke përfshirë trupën e Ansamblit Popullor, orkestrën, trupën e baletit dhe solistët”, thotë Sokol Marsi për koncertin e datës 8 janar. Panajot Kanaçi, emri që i ka dhënë vlera të mëdha valles dhe baletit shqiptar, ka zënë një vend nderi në artin shqiptar. Drejtori artistik i Ansamblit Popullor Sokol Marsi thotë se ai është dhe profesori që ka nxjerrë në skenë për herë të parë talente të kërcimit. “Panajot Kanaçi është quajtur nga kritika artistike si babai i valles shqipe, pasi ai është edhe njëri prej koreografëve, që përveçse ka krijuar shumë e shumë valle popullore, balet, etj, është edhe profesori që ka nxjerrë në skenë për herë të parë talente të kërcimit, duke përmendur këtu nxënësit e tij Lili Cingu, Rexhep Çeliku, etj”, thotë ai. Programi do të bazohet mbi krijimtarinë koreografike të Panajot Kanaçit, momente nga jeta e tij artistike ( video projeksion), por dhe artistë e bashkëpunëtorë të ftuar në nderim të tij, etj.
Koncerti në formën e një spektakli
Koncerti do të jetë pas disa ditësh në skenën e TKOBAP dhe do të ketë një program të pasur. Por sipas drejtorit artistik Sokol Marsi që deri tani ka sjellë premiera të suksesshme me Ansamblin Popullor që janë vlerësuar nga publiku, ky koncert do të trajtohet në formën e një spektakli televiziv. “Përveç interpretimeve, valleve të krijuara nga mjeshtri, do të ketë edhe disa numra artistikë specialë për ti dhënë premierës një dimension edhe më të madh se sa një koncert”, thotë ai. Trupa e balerinëve dhe e valltarëve, e krijuar dhe e drejtuar nga mjeshtri Kanaçi, kudo që përfaqësonte Shqipërinë rrëmbente plot duartrokitje dhe vlerësime, ku padyshim merita më e madhe i takonte dhe babait të koreografisë shqiptare. Në fushën e krijimtarisë koreografike popullore të përpunuar, Panajot Kanaçi ka dhënë një kontribut me plot vlerë. Sipas artistëve, në çdo krijim koreografik të tijin, Panajot Kanaçi e harronte veten e çdo gjë e lidhte me balerinin apo valltarin për të konkretizuar çdo gjë lidhur me baletin apo me vallen. Panajot Kanaçi, lindi më 2 gusht të vitit 1924 dhe u nda nga jeta më 15 korrik 1996. Që në moshë të vogël ra në sy mënyra elegante e kërcimit të tij. Në vitin 1945 ishte ndër të parët që krijoi grupet e valleve, duke realizuar miniatura baleti dhe valle popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Ai realizoi baletin e parë kombëtar “Halili dhe Hajria”, me muzikë të Tish Daisë. Më pas realizoi baletin “Delina”, “Bijtë e Peshkatarit”, etj. Ai ishte lëvrues i palodhur i valles popullore, duke arritur nivele të larta përpunimi si “Vallëzimi i shqipeve”, “Valle labe”, “Valle myzeqare”, etj.