Skënder Muçaj: Butrinti nuk është themelim i grekëve, shkenca bazohet mbi dokumente e materialin arkeologjik dhe jo në thashetheme

0
265

Çështja e identitetit të Butrintit ka sjellë këto ditë reagime të specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore. Prof. dr. Skënder Muçaj shprehet se Butrinti nuk ka qenë koloni greke. Reagimi i arkeologut vjen në vijim dhe të emrave të tjerë të fushës së arkeologjisë shqiptare, pas shkrimit, që prestigjiozja britanike “The Guardian” shkroi për vendet ekzotike që ofron Shqipëria, në njërin prej paragrafëve “Pikat historike të Shqipërisë” midis rreshtave, thuhet se : “Gërmoni në të kaluarën e pasur të Shqipërisë duke vizituar qytete dhe fortesa në majë të kodrave si Kruja, kryeqyteti i parë i vendit, apo Gjirokastra dhe Berati. Rrënoja greke dhe romake ka edhe në Apoloni dhe Butrint”. Prof. dr. Skënder Muçaj arkeolog thotë se Butrinti nuk ka lidhje me thënien greke. “Butrinti nuk është koloni greke, nuk është themelim i grekëve siç është Apolonia, Dyrrahu dhe Oriku”, thotë profesor Muçaj. Sipas arkeologut të njohur, shkenca ecën me fakte dhe sot nuk mund të diskutohet çështja e identitetit të Butrintit. Ai thotë se shkenca nuk bazohet mbi thashetheme. “Në fushën e shkencës nuk diskuton njeri, që Butrinti është koloni greke ose helene. Ky është kapitull i mbyllur. Mund të flasë një gazetar, por nuk flet shkenca, sepse ajo bazohet mbi dokumente dhe mbi materialin arkeologjik dhe jo në thashetheme, dhe Butrinti nuk ka lidhje me kolonizimin grek. Mediat do të shkruajnë dhe nuk ndalohen dot, nuk përbën ndonjë krim se shkruajnë. Por institucionet tona duhet të reagojnë kur është një politikë zyrtare, përshembull nëse do të shkruante një shtet”, thotë profesor Muçaj.

Autorët për kolonitë

Në reagimin e tij prof. Muçaj thotë se autorë të ndryshëm kanë shkruar se kush janë koloni greke dhe Butrinti nuk është. “Të gjitha kolonitë janë përmendura nga autorët dhe nuk ka mbetur njeri pa i përmendur kolonitë greke, kështu që po të ishte Butrinti do të ishte përmendur 100 herë meqenëse ai lidhet dhe me regjimin e Eenas. Marrëdhënie kulturore, kultura greke ose helenistike që themi ne u përhap në gjithë Mesdheun, nuk është se u përhap vetëm këtu. Pra ishte kultura e kohës më pas u bë kultura romake”, thotë prof. dr. Muçaj. Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në nëntor të 2005 Këshilli i Ministrave vendosi zgjerimin e parkut kombëtar të Butrintit në 86 km².

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here