Sensacionale/ Europiani i Peshëngritjes do të zhvillohet në Tiranë më 2 maj

0
313

Kampionati Europian i Peshëngritjes për vitin 2022 do të zhvillohet në Tiranë më 2 maj. Ky është padyshim një lajm shumë i mirë për sportin shqiptar në përgjithësi dhe për shtangën në veçanti. Ka qenë një lobim i fuqishëm i kreut të KOKSH-it Fidel Ylli dhe kreut të federatës së peshëngritjes, Elez Gjozaj, që kanë mundësuar që Europiani, i cili ishte planifikuar të luhej në Bullgari por që nuk kishte marrë “ok”-ejin përfundimtar të marrë drejtim në kryeqytetin shqiptar, e ku do të startojë më 2 maj. Natyrisht, ky nuk është thjesht një lajm i madh për sportin, por një lajm i madh dhe mundësi për sportistët tanë elitarë dhe ata të rinj që t’i tregojnë Europës potencialin e tyre të madh dhe t’i shërbejnë Shqipërisë me medaljet e tyre, për të na bërë të gjithëve krenarë. “Është e vërtetë! Kampionati Evropian i Peshëngritjes do të zhvillohet në 2 maj 2022 në Tiranë. Presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes Antonio Urso iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Presidentit të KOKSH Fidel Ylli e të Presidentit të FSHP Elez Gjozaj”, shkruajnë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Në fakt, lajmin për këtë ngjarje të jashtëzakonshme e konfirmuan sot Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) Fidel Ylli dhe kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) Elez Gjoza. Në një konference të mbajtur në ambientet e KOKSH ata konfirmuan zyrtarisht se Kampionati Evropian i Peshëngritjes që ishte planifikuar të zhvillohej në Bullgari, u vendos përfundimisht të zhvillohet në Shqipëri.

Sportistët kanë shans të shtojnë medaljet dhe të nderojnë flamurin kuqezi

Peshëngritësit tanë, kampionët Briken Calja, Erkand Qerimaj apo Evangjeli Velo dhe Enkeleda Carja nga vajzat, do kenë shumë mundësi të marrin medalje. Me interes priten edhe prurjet e Klubit të Peshëngritjes së Kamzës që drejtohet nga presidenti i saj i pasionuar Dashamir Çajka që për të stërvitur djemtë e tij të talentuar prej disa kohësh ka përzgjedhur si trajner të mirënjohurin, ish-kampionin Ilir Suli. “Pritshmëri për medalje dhe rezultate të mira japin edhe më të rinjtë si Kristi Ramadani, Samuel Beshanaku i Tiranës, Sajmir Lagja i Vllaznisë, Ertian Kofsha i Shtërmenit apo Mateus Caci e Franko Ferra të Elbasanit. Këta e gjithë të rinjtë që do të grumbullohen me Ekipin Kombëtar do të stërviten nën drejtimin e trajnerëve Ilir Çela (Mjeshtër i Madh) e Leonard Toska (Mjeshtër i Madh). Ndërsa të rriturit do të përgatiten për këtë kampionat nga trajnerët Artur Lagja e Kreshnik Leka. Ekipit Kombëtar që do të fillojë stërvitjen në Durrës më 15 shkurt, s’na mbetet tjetër, veçse t’i urojmë suksese në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes që fillon më 2 maj 2022 në Tiranë”, shkruan ndër të tjera një nga teknikët e shtangës, Ilir Mborja. Kujtojmë dhe një herë që aktiviteti ishte planifikuar për në Bullgari, por pas lobimit dy javë më parë nga Ylli e Gjozaj, të hënën në mbrëmje Presidenti i Evropës iu përgjigj zyrtarisht. Dje krerët e sportit olimpik dhe ata të federatës së peshëngritjes e konfirmuan në konferencë shtypi dhe shpallën trajnerët për aktivitetin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here