Eva Golemi: “La Traviata” vepër që duhet te jetë në repertorin e teatrit çdo vit, një nga operat më popullore dhe të ekzekutuara në botë

0
336


Jeta mondane e Parisit të fundshekullit të 19-të, sallonet aristokrate, dashuria, mllefet dhe intrigat në historinë e Violetës dhe Alfredos, janë në operën “ La Traviata” të Verdit. Opera e Verdit u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Bëhet fjalë për një histori të një kurtizaneje, e cila dashurohet me një fisnik, por i ati i djalit e pengon dashurinë e tyre. Opera me tre akte e Verdit në TKOB përmban katër shfaqje në skenën e re, e cila mirëpret katër kaste të ndryshme artistësh. Pas mbrëmjeve të fundjavës në datat 23 dhe 24, opera do të jetë dhe në datat 25 dhe 26 tetor. Në natën e parë me rolin Violetës në skenë ishte sopranoja e njohur Eva Golemi. Sopranoja thotë se “La Traviata” është një nga opera më të ekzekutuara në skena. “Vepër me shumë rëndësi dhe që duhet të jetë në repertorin e teatrit çdo vit, si në çdo teatër të botës. Një nga operat më popullore dhe të ekzekutuara në botë nga çdo teatër”, shprehet ajo. Violeta për sopranon është një rol shumë i dashur, që siç tregon dhe vetë e ka luajtur që në moshën 24 vjeçare. Sopranoja Eva Golemi thotë se dhe këtë rikthim të veprës publiku e mirëpriti shumë. “Jashtëzakonisht bukur. Emocion i veçantë pas gjithë kësaj periudhe pritjeje të gjatë”, tregon ajo. Këtë rol Golemi e ka luajtur mbi 70 herë në skena. Ajo tregon se Violeta i përshtatet dhe vokalisht, por tregon se është maja për një soprano. “Violeta është roli më i madh dhe më i rëndësishëm për një soprano. Një rol që e kam luajtur mbi 70 herë. Është rol që e dua shumë, është maja për një soprano dhe më përshtatet shumë vokalisht. Është roli, që kam luajtur më shumë në karrierën time, si këtu dhe jashtë shtetit nga Italia, Gjermania, Anglia, Franca me Violetën”, shprehet ajo.

Artistët pjesëmarrës

“La Traviata” nga Giuseppe Verdit është një opera shumë e famshme, e cila është bazuar në veprën “Zonja me kamelie” e Alexander Dyma. Në qendër të veprës është kurtizania Violeta Valery, që për hir të dashurisë me fisnikun Alfredo Germont, braktis jetën prej kurtizaneje. Në “La Traviata” në këtë rikthim në TKOB janë pjesëmarrës orkestra e TKOB, kori, dirigjente Deniola Kuraja, regjisore Magdalena Fuchsberger, as. regjisore Ada Gurra, kostumografia Ardi Asllani, koreografia e solistë Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, dirigjent kori Dritan Lumshi, koncert maestër Ingrid Pulizo dhe Etrita Ibrahimi. Violetta Valery-Eva Golemi, Nina Muho, Simona Karafili, Renisa Laçka; Alfredo Germont-Denis Skura, Klodjan Kaçani; Giorgio Germont-Ylber Gjini, Armando Likaj; Gastone-Erlind Zraliu, Flora Bervoix-Shpresa Beka, Ivana Hoxha; Aninna-Dorina Selimaj; il barone Douphol-Artur Vera; il marchese d’Obingny-Bledar Domi, Ogert Islami, il dottor Grenvil-Xhieldo Hyseni; Giuseppe-Erlind Zeraliu; un commissionario- Genc Vozga. “La Traviata” është një opera e famshme në botë, por në skenën shqiptare u mbajt premierë më 3 dhjetor të 1956.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here