Zbulohet harta e re gjyqësore, ja cilat gjykata pritet të shkrihen, KLGJ këmbëngul te vetëm një gjykatë Apeli

0
45

Harta e re gjyqësore është kthyer në mollë sherri mes institucioneve të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor vijojnë të mos dakordohen për shkrirjen e një numri të madh gjykatash, sidomos ato të Apelit. KLGJ ka propozuar që të kemi vetëm një gjykatë apeli, por Ministria e Drejtësisë e refuzon. Ndërkohë mësohet se kritik ka qenë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ky institucion është lënë jashtë konsultimeve dhe mësohet se ka shfaqur mjaft rezerva. Nga ana tjetër KLGJ ka marrë bekimin e Prokurorisë së Përgjithshme për këtë çështje. Dje kryeprokurori Olsian Çela dhe shefja e KLGJ, Naureda Llagami kanë pasur një takim. “Gjatë këtij takimi, të dy titullarët e institucioneve diskutuan për çështje të rëndësisë së përbashkët, mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor dhe më veçanërisht mbi propozimin e hartuar nga grupi ndërinstitucional i punës për miratimin e hartës së re gjyqësore. Projekti i hartës së re gjyqësore, i dërguar tashmë pranë Ministrisë së Drejtësisë, ndikon edhe punën dhe veprimtarinë e zyrave të prokurorisë. Në njohje të plotë të situatës dhe humbjeve të burimeve njerëzore si në gjykatat dhe në prokuroritë e të gjithë vendit, Prokurori i Përgjithshëm shprehu dakordësinë e tij në parim për miratimin dhe zbatimin e këtij dokumenti dhe kjo në funksion të rritjes së eficencës dhe kapaciteteve njerëzore në sistemin gjyqësor dhe atë prokuroria”, thuhet në njoftimin për shtyp të KLGJ.

Harta e re gjyqësore

Por si do të jetë harta e re gjyqësore? Sipas informacioneve, KLGJ propozon bashkim të Gjykatës së Durrësit me atë të Kavajës dhe Krujës dhe bashkim të Gjykatës së Dibrës me atë të Matit. Gjykatën e Fierit, KLGJ vlerëson ta bashkojë me atë të Lushnjës, ndërsa në jug synohet bashkimi i Gjykatës së Gjirokastrës, Sarandës dhe Përmetit. Në të njëjtën formë, propozohet bashkimi i Gjykatës Kukës me atë të Tropojës, i Korçës me Pogradecin, i Lezhës me Kurbinin, si edhe bashkim i gjykatave të rretheve Shkodër dhe Pukë. Pra do të ketë 12 gjykata në 12 qarqe. Ndërkohë KLGJ ka në plan të shkrijë të gjitha gjykatat e Apelit në vend dhe të kemi një të re në Tiranë, e cila do të jetë e vetme. Por Ministria e Drejtësisë është kundër këtij plani. Referuar faktit se kjo do të lindte nevojën e ndërtimit të një godine të re me kosto gati 4.2 milionë euro, si edhe do të shtonte kostot e transportimit të të burgosurve, apo kostot e dietave të avokatëve kryesisht, ministria del në konkluzionin se ndikimi ekonomik negativ do të ishte më i lartë se efikasiteti në dhënien e drejtësisë. Ministria e Drejtësisë propozon mbajtjen e katër gjykatave Apeli, ose në variantin më minimal, 3 të tilla. Lidhur me gjykatat e Shkallës së Parë, ministria nuk pranon shkrirjet e gjykatave, por konfigurimin e disa prej tyre si degë të gjykatave më të mëdha të çdo qarku.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj