Ziso Kamberaj një artist unik, miqtë dhe kolegët: Do t’i mungojë artit pamor shqiptar

0
60

Piktori Ziso Kamberaj do t’i mungojë artit pamor shqiptar. Kështu shprehen miq dhe kolegë të piktorit të njohur, që u nda nga jeta në moshën 56- vjeçare. Artisti nuk ia doli në betejën me sëmundjen që shkakton Covid-19 dhe ndërroi jetë në një spital në Gjermani, ku ishte shtruar prej disa kohësh. Kamberaj lindi në Tiranë, ndërsa jetonte mes Shqipërisë dhe Mynihut. Drejtori i Galerisë së Artit të Tiranës dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” një nga miqtë e piktorit Kamberaj, thotë se artit shqiptar do ti mungojë. “Ziso Kamberaj ka qenë një mik, një talent vërtetë i rrallë i pikturës shqiptare. Nga artistët që ishte unik në llojin tij, në mënyrën se si e perceptonte, në mënyrën se si jetoi, në mënyrën se si ishte me shoqërinë. Një njeri që kishte vlerat e veta njerëzore dhe artistike. Artit pamor shqiptar dhe ne miqve të tij do ti mungojë shumë. Mua do të mungojë shumë, sepse kisha një miqësi të veçantë”, shprehet dr. Hado piktor. Miq dhe kolegë shprehen se është humbje e madhe. Dr. Abaz Hado thotë se u largua në kulmin e aktivitetit të tij. “Ai ishte shumë kurajoz, më inkurajonte të bëja sa më shumë për artistët. Një boshllëk shpirtëror, kur mora vesh që miku im nuk jeton më nga një sëmundje e tmerrshme siç është covid-19, që e bëri të vuajë shumë në Gjermani, por ta marri shpejt dhe të lërë përgjysmë misionin e tij si artist”, shprehet dr. Hado. Piktori Agim Sulaj ka publikuar në profilin e tij një skicë që shprehet se ia dedikon artistit Ziso Kamberaj. “Një skicë nga Tirana, vitet e liceut Mihal Grameno. Ja dedikoj Ziso Kamberajt, dhe kujtimit të tij, i cili mbyll një faqe të papërsëritshme të rinisë e miqësisë së vërtetë”, shkruan Sulaj.

Me kërkesa të larta për pikturën

Piktori Anastas Kostandini shprehet për miqësinë e tij me piktorin Ziso Kamberaj. Ai thotë se në diskutimet e tyre gjithmonë ishte piktura. “Ishte një person jashtëzakonisht ekspresiv, shumë komunikues. Me kërkesë të lartë për pikturën. Kur ishte muaj më parë në Pogradec jemi takuar, por më vonë komunikonim dhe me telefon bashkë dhe diskutonim për pikturën. Kishte prentendime të larta për pikturën. Ka bërë cikle pikturash. Më vjen jashtëzakonisht keq. Ndoshta nuk kam ndarë shumë kohë me të, por atë kohë të rrallë që kemi qenë bënim biseda të gjalla dhe të gjata”, shprehet ai. Trishtim i madh shprehet studiuesi i artit Agim Janina për ndarjen nga jeta të piktori Ziso Kamberaj. “U shua dhe Zizo Kamberaj! Ishte në pjekuri të plotë dhe kishte shumë për të dhënë. Më trishtoi ikja e tij. Lajmin e mësova rastësisht nga ekrani i celularit dhe kur ikën një piktor, çuditërisht bashkë me fytyrën, veshjen, ecjen pak të rëndë e të menduar e fjalëpakë, kur në buzë i shfaqej një buzëqeshje thuajse fëminore, nën sytë ndriçues, të vijnë në mendje veprat e tij, si të thuash kalim në një endje ngjyrash, formash, linjash, heqje penelate pas penelate, teknikat e përdorura, ekspozitat dhe në to do të mbesë në të ardhmen… dhe kështu do të vijojë të jetojë…”, shprehet Janina. Piktori ishte diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në 1992, në pikturë monumentale. Artisti i njohur la pas një pasuri të madhe me veprat e tij artistike.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj