Disa vende të BE kërkojnë rikthimin e vizave për Shqipërinë, ja pse një gjë e tillë është e vështirë dhe çfarë parashikon rregullorja e BE

0
182

Disa vende anëtare të Bashkimit Europian kanë kërkuar rikthimin e vizave për Shqipërinë. Shkak duket se janë të shqetësuar për numrin e madh të personave që nuk plotësojnë kushtet për të aplikuar për azil, që vijnë nga shtetet, për të cilat BE-ja ka hequr regjimin e vizave, ndërsa është bërë e ditur nga “Radio Europa e Lirë”. Kështu, në një dokument të brendshëm të Presidencës sllovene të BE-së, që është përgatitur me kërkesë të shteteve anëtare, përmenden shembuj të shumtë të keqpërdorimit të udhëtimit pa viza dhe kërkesave të pabazuara për azil. Fillimisht në artikull, thuhet se Franca është ankuar për numrin e madh të azilkërkuesve nga Shqipëria. “Ne ndajmë vlerësimin e Komisionit Europian, posaçërisht në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, për të cilat, liberalizimi i vizave ka shkaktuar një rritje të madhe të migrimit ilegal dhe kërkesave të pabazuara për azil në Francë”, kanë thënë autoritetet e Francës. Nga ana tjetër, sipas “REL”, edhe Berlini ka shprehur shqetësime për shkeljen e rregullave në Gjermani nga shtetasit e huaj. Këto raste janë në rritje sidomos për qytetarët nga Shqipëria dhe Serbia, që kryesisht kanë të bëjnë me qëndrim në shtet më shumë se 90 ditë, aq sa është e lejuar sipas rregullave të liberalizimit të vizave. Gjermania ka kërkuar nga Komisioni Europian që opsioni i suspendimit të liberalizimit të vizave të jetë real. Bashkimi Europian ka në fuqi të ashtuquajturit “mekanizma për suspendimin e liberalizimit të vizave”, por kjo deri më tash nuk është përdorur. Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të kthehej regjimi i vizave për Shqipërinë, por ky propozim nuk kishte kaluar pasi Komisioni Europian kishte vlerësuar se nuk kishte kushte për një gjë të tillë.

Ja pse nuk rikthehen vizat

Por pavarësisht zërave se disa shtete të Bashkimit Europian kanë kërkuar rikthimin e vizave për Shqipërinë, një gjë e tillë duket se është e vështirë. Sipas rregullores mbi regjimin e vizave që disponon gazeta “SOT”, kriter penalizues është kur numri i azilkërkuesve është i madh dhe kur në të njëjtën kohë shteti prej nga vijnë këto kërkesa nuk bashkëpunon për riatdhesimet e azilkërkuesve, gjë që në fakt nuk ka ndodhur me Shqipërinë, ku në mënyrë të vazhdueshme riatdhesohen persona që kërkojnë azil pa plotësuar kriteret. Mirëpo edhe në rastet ku shteti nuk bashkëpunon, atij i lihet një afat 6 mujor për të reflektuar dhe vetëm në rastet kur sërish bashkëpunimi për riatdhesime mungon, atëherë mund të ketë penalizime. Megjithatë, në rastet kur një shtet shpreh shqetësimin për numrin e lartë të azilkërkuesve, Parlamenti dhe Komisioni Europian duhet të monitorojë përmbushjen e kritereve, emigracionin e rregullt, përfitimet ekonomike, si dhe mbrojtjen e të drejtave e thelbësore të tyre. Në raste të rralla, vendet e zonës Shengen mund të vendosin një kontroll intensiv nga 1-30 ditë në të gjitha pikat kufitare. Megjithatë, sipas rregullores, kërkesa për rikthimin e regjimit të vizave kërkon votë unanime nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, pasi nëse kundër rikthimit të vizave rreshtohet qoftë edhe një shtet, vendimi është nul. Pra, kur iu hoqën vizat Shqipërisë votuan në bllok të gjithë vendet anëtare të BE, ndërsa e njëjta gjë ndodh edhe kur ka kërkesa të kësaj natyre, sikundër është rikthimi i vizave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here