Ballina Aktualitet Kronike Vrasja e Santiago Malkos, Daut Elmazi dëshmon në Gjykatën e Posaçme, ja...

Vrasja e Santiago Malkos, Daut Elmazi dëshmon në Gjykatën e Posaçme, ja qëndrimet e të akuzuarit për atentatin

0
34

Daut Elmazi ka dëshmuar dje për ekzekutimin e ish-efektivit Santiago Malko. Me pranga në duar ai ka shkuar dje në Gjykatën e Posaçme, duke u paraqitur si dëshmitar në procesin ndaj Bledi Tetës, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e Malkos. Elmazi është arrestuar si i dyshuar për atentatin ndaj Ines Hajrullait në Vlorë, por SPAK ka dyshime se Elmazi ishte në kontakt me pjesëtarët e klanit kriminal të drejtuar nga L. Duka, për të vëzhguar lëvizjet e Ervis Martinaj, që e kishin vënë në shënjestër për ta vrarë. Para Gjykatës së Posaçme, i paraburgosuri Elmazi, që është nipi i Armando Sulejmanit, i njohur si Çipuri, pranoi njohjen me të gjithë të pandehurit dhe kontaktet që ka pasur para dhe pas vrasjes së ish policit. Ai ka folur për njohje me të shumëkërkuarin L. Duka i cili akuzohet se organizoi vrasjen e Malkos. Ndërsa mohoi të kishte njohje me F. Hysenin, që dyshohet si personi që qëlloi për vdekje Malkon. Megjithatë, në dëshminë e tij, i paraburgosuri Elmazi, refuzon kategorikisht të jetë paguar nga krerët e grupit kriminal apo të ketë dhënë informacion në lidhje me lëvizjet apo kontaktet e të shumëpërfolurit të botës së krimit, Ervis Martinaj. Dëshmitari mohoi kategorikisht të kishte të dhëna lidhur me shumën e parave që Dukët kishin vënë në dispozicion për këdo që jepte informacion.

Hetimet e SPAK

Në korrik të këtij vitit, SPAK ka mbyllur hetimet për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko. Dosja penale u dorëzua në gjykatë, ku janë marrë të pandehur shtetasit me iniciale L. D., vëllai i tij E. D., shtetasi I. S., O. L., A. M., F. H. dhe shtetasi D. A. Këta të dyshuar janë akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim”. Sipas prokurorisë, motivi i vrasjes së Santiago Malkos, ka ardhur si pasojë e përplasjes së dy grupeve kriminale, të cilat ishin në rivalitet me njëra-tjetrën për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Grupi i parë kriminal përfshinte dy nga të pandehurit, të cilët kanë lidhje familjare si shtetasi L. Duka. dhe E. Duka. dhe mbështetësit e tyre. Ndërsa grupi i dytë kriminal përbëhej nga ish-polici Santiago Malko dhe njerëzit e tij. Sipas SPAK, vrasjes së ish-efektivit në atë kohë 26 vjeç, i paraprinë dhe dy ngjarje të tjera kriminale. Si fillim, është ngjarja e datës 26 gusht 2018, ndodhur në një lokal të zonës së Kinostudios, nga ku mbetën të plagosur shtetasit me iniciale J. H., R. M. dhe I. D. Dhe ngjarja e dytë bën fjalë për tentativën për vrasje ndaj tashmë të pandehurit E. D. Për këto dy vepra kriminale dyshohet të jetë autor Santiago Malko. Pas këtyre situatave, ka nisur dhe konflikti që çoi në vrasjen e tij. Sipas SPAK, në shenjë hakmarrje, pjesëtarët e grupit të parë kriminal të shtetasve L. D. dhe E. D., morën informacione si fillim për vendndodhjen e bashkëpunëtorit të Santiago Malkos, shtetasit E. M., por nuk arritën ta gjenin për ta vrarë. “Që prej muajit maj, e deri një javë përpara se të vrisnin Malkon, të dyshuarit F. H., i njohur me nofkën “Dogja”, L. D. dhe E. Duka kanë siguruar informacione rreth vendndodhjes së lëvizjeve të Malkos, me qëllim eliminimin fizik të tij. Ata kanë paguar edhe një shumë parash për informacionet që kanë siguruar; kanë marrë informacion rreth lëvizjeve të tij, por nuk kanë mundur të vënë në jetën planin e tyre”, shkruhet në dosje.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj

%d bloggers like this: