Ditën e djeshme gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Kaçe Agolli u përball në KPK me dyshime për përfitim të paligjshëm të një apartamenti, një raport me probleme të profesionalizmit dhe dyshimet mbi një vendim që i jepte 433 milionë euro dëmshpërblim kompanisë së biznesmenit të shumë përfolur Francesco Becchetti kundër gjigantit italian të energjisë Enel. Sipas të dhënave të publikuara nga KPK, bilanci negativ mbi pasurinë e saj varionte nga 3 në 6.7 milionë lekë. Agollit po ashtu iu bë me dije se, ndaj saj kishte një raport kritik prej Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili kishte gjetur një sërë problemesh në dosjet e saj përfshi mungesë të kërkesë padive dhe mungesë aktesh procedurale. Shumë probleme gjyqtares i hapi edhe qëndrimi i së bijës në New York. Sipas KPK, Agolli nuk ka sqaruar nëse vajza qëndronte me qira atje apo jo, por ka dërguar vetëm një letër ku shpjegonte se vajza ka qëndruar tek disa shtetas amerikanë pa pagesë. Por, pavarësisht kësaj Agolli sërish nuk justifikonte 4.3 milionë lekë. Shumica dërrmuese e kësaj sasie rreth 21 mijë dollarë amerikanë ishin të ardhura që pretendoheshin nga dhënia me qira e një apartamenti. Relatori tha se për këto të ardhura nuk provohej pagesa e tatimit në burim. Edhe pse Agolli u justifikua se kishte marrë me qira vetëm apartamentin, KPK ka gjetur se e gjithë ndërtesa ishte objekt pa leje, madje Agolli dhe bashkëshorti edhe pse kishin pasur një apartament bashkë me prindërit e kësaj të fundit, kishin përfituar apartamentin tjetër nga Enti Kombëtar i Banesave si të pastrehë. Sipas KPK, ky përfitim dukej i paligjshëm dhe se më pas apartamenti ishte përdorur për biznes dhe ishte dhënë me qira. Ndërsa nga ana e profesionalizmit, Agolli u zu ngushtë për çështjen e Becchetti-Enel. Sipas gjetjeve të KPK, Agolli ka dhënë vendimin pro Becchettit në këtë çështje edhe pse fillimisht është raportuar që nuk ka kompetenca.








































