Departamenti Amerikan i Shtetit ka dalë me një njoftim të rëndësishëm në faqen e tij zyrtare.
Në të, bëhet thirrje që të gjithë personat që duan të vijnë në vendin tonë, të rishikojnë udhëtimin për dy faktorë: krimi dhe rastet e Covid.
“Rishqyrtoni udhëtimet në Shqipëri për shkak të COVID-19. Ushtroni kujdes të shtuar në Shqipëri për shkak të krimit”, thuhet ndër të tjera në mesazh.
DASH ka një njoftim edhe për zonën e Lazaratit.
Në paralajmërimin për Lazaratin, Departamenti thotë se situata e sigurisë atje është e paqëndrueshme dhe Policia lokale ka aftësi të kufizuara për të mbrojtur udhëtarët.
“Situata e sigurisë në Lazarat mbetet e paqëndrueshme për shkak të krimit dhe dhunës që lidhen me kultivimin e marihuanës. Policia lokale ka aftësi të kufizuar për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët. Qeveria amerikane nuk është në gjendje të ofrojë shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në Lazarat pasi punonjësve të qeverisë amerikane u ndalohet të udhëtojnë atje”, mbyllet mesazhi i DASH.











































