Kryedemokrati Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetet sociale ngriti sot alarmin për situatën e djegies së mbeturinave në Fier.
“Shikojini këto imazhe të tmerrshme. Dita e katërt e katastrofës mjedisore në Fier. E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë.Digjen plehrat, helmohen familjet, vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar.
Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve.
Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton.
Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!”, shkruante Basha.
Pas këtij denoncimi të Bashës ka ardhur menjëherë reagimi i kryetarit të Bashkiosë së Fierit, Armando Subashit.
Ai i është kundërpërgjigjur duke thënë se anëtarët e këshillit bashkiak të PD, kanë votuar kundër për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70-vjeçare.
Subashi thotë se për pak ditë situata do të marrë fund e ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë.
Postimi i Armando Subashit:
Lulzimi paska reaguar sot për plehrat në Fier!!
Po si ka mundësi?!
Ku e gjen të drejtën morale?!
Lulzimi dhe të “tijët” në Fier që votuan kundër në Këshill Bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70 vjeçare, që votuan kundër dhe bënë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin e qeverisë për impiantin e ri, që organizuan pafund protesta duke helmuar mendjet e njerëzve për ndërtimin e impiantit të ri, duke e shtyrë rreth 2 vjet në kohë përfundimin e tij, që vazhdojnë të shpifin pa fund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin?!
E kanë të kotë!
Edhe pak ditë dhe historia e plehrave për Fierin në atë fushë 70 vjeçare do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë, por në rradhë të parë do të jetë njolla e turpit për Lulëzimët që donin ta mbanin gjallë me çdo mjet e mënyrë.
Fund plehrave në qytet!








































