Fillon lëvizja anti-Berisha në PD, Mark Marku dhe Bislim Ahmetaj i kërkojnë ish-kreut të PD të dalë në pension dhe të kujdeset për nipërit e mbesat

0
23

Shtohen thirrjet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u larguar si deputet dhe për rrjedhojë edhe nga Partia Demokratike. Në 19 maj të këtij viti Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata” Berishën dhe familjen e tij, ndërkohë që pavarësisht këtij vendimi ish-kryeministri vijon të jetë tepër aktiv në politikë, teksa ka deklaruar se mezi pret të rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë si deputet dhe se mezi pret që të përballet me narkoshtetin siç e quan ai qeverinë “Rama”. Por ky protagonizëm i shtuar i Berishës dhe përkrahje e hapur që ai po i jep Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike duket se nuk janë pritur mirë nga një pjesë e demokratëve, të cilët kanë kërkuar që ish-lideri demokrat të “pensionohet” politikisht

Ahmetaj: Koha të kujdeset për nipërit e mbesat

Festivalin e atyre që duan që Berisha të “zhduket” nga PD e ka hapur anëtari i “Grupit për PD”, njëherësh ish-themelues i Partisë Demokratike, Bislim Ahmetaj. Ky i fundit ndërsa ishte i ftuar dje në një studio televizive ditën e djeshme u shpreh hapur që është kundër Berishës në politikë, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që ish-kryeministri të kujdeset për nipërit dhe mbesat dhe jo të merret me politikë. Sipas zotit Ahmetaj, pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Berisha nuk duhet të jetë pjesë e politikës aktive. “Protagonizmi i Berishës krejtësisht i panevojshëm, Berisha duhet të ishte duke mbajtur leksione të universiteti, të kalonte jetën me nipër dhe mbesa, e kanë çuar thuajse në kryqëzim, një njeri që ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për vendin të shpallet “non grata” nga SHBA është shumë e rëndë”, deklaroi ai. Ndërkohë, zoti Bislim Ahmetaj ka deklaruar se vënia e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, është faji më i madh i ish-kryeministrit Sali Berisha. Madje, zoti Ahmetaj e ka cilësuar si të pafalshëm gabimin e Berishës, duke e vendosur në krye të PD-së, Lulzim Bashën, kjo sepse sipas tij, kryedemokrati nuk i ka sjellë asnjë të mirë demokratëve. “Një nga gabimet më të mëdha të Berishës, është impostimi i Bashës në krye të PD. Unë e kam thënë dhe më parë, kjo është e pafalshme. Rezultatet treguan se kam pasur të drejtë. Të fitonte të paktën një herë, apo të çonte deri në fund të paktën një aksion politik. Që nga 2005 nuk ka zbritur nga karrigia, dhe të gjitha kanë qenë dhuratë e Berishës”, nënvizoi Ahmetaj

Marku: Qëndrimet e tij po dëmtojnë Bashën

Por në të njëjtën linjë me zoti Ahmetaj është reshtuar edhe deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Mark Marku. Teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, zoti Marku u shpreh hapur se qëndrimet e Berishës po dëmtojnë kreun e PD, Lulzim Basha. Sipas tij, Basha duhet të ishte distancuar nga Berisha dhe të kishte ndryshuar modelin e lidershipit në një model modern. “Unë mendoj që protagonizmi i Berishës e ka dëmtuar Bashën, mendoj se ky dublim është se Basha nuk ka arritur të fitojë autoritetin. Ka dy rrugë e para të vazhdohet duke i ngjarë në mentalitet liderit të mëparshëm, imitimi sjell dobësimin. Basha duhet të kishte ndryshuar modelin e lidershipit në një model modern, liderët europian kanë karakteristikat e një menaxheri. Unë pres një reflektim, fjalimi im ishte diçka e përtejme, ka shumë që dyshojnë tek procesi”, deklaroi Mark Marku.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj