Pas vendimit të fundit që dha Komisioni i pavarur i Kualifikimit për përjashtimin e prokurorit të njohur Ervin Karanxha, ky i fundit është tensionuar duke mos e pritur aspak mirë vendimin zyrtar.
Në seancën e sotme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka pasur debate dhe avokatët e tij janë nxjerrë jashtë nga efektivët e Gardës së Republikës. Seanca e parë dëgjimore në KPK u shty nga prokurori Karanxha për arsye shëndetësore.

Prokurori me gjithë avokatët janë paraqitur në seancë, për të cilën pretendonin se do të ishte dëgjimore dhe jo për shpalljen e vendimit nga KPK. Kjo gjë ka sjellë debate dhe për këtë arsye avokatët janë nxjerrë jashtë, ndërsa më pas trupa gjykuese ka shpallur vendimin duke e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.

Sipas verdiktit Komisioni konstatoi se prokurori Ervin Karanxha dhe bashkëshortja e tij tashmë e shkarkuar nga KPK, Bernina Kondi nuk kanë pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90.12 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2011 kundrejt çmimit 8.2 milionë lekë.












































