Duke folur në Gjykatën Kushtetuese, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka deklaruar se nuk mundet që Kolegji Zgjedhor të mos marrë parasysh dekretin e presidentit Ilir Meta. Ajo tha, se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka demokraci në vendin tonë. “Zgjedhjet nuk i shërbyen interesit të qytetarëve. Shpesh herë funksionaliteti i sistemit kushtetues është kthyer në një sistem formal që nuk garanton qëllimet për të cilin është ngritur. Pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka demokraci në vendin tonë. Kompetencat e institucioneve të ndryshme ushtrohen në një kontekst të caktuar. Avokati i Popullit vëren se siguria juridike dhe parimi i së drejtës vitet e fundit konsiderohen si parime që nuk arrijnë të japin efektshmërinë e vendimeve. Nuk mundet që Kolegji Zgjedhor të mos marrë parasysh dekretin e presidentit dhe të marrë një vendim, thjesht sepse nuk e shikon të arsyeshëm”, ka thënë Ballanca. Ndërkohë, Erind Mërkuri, përfaqësuesi i Bindjes Demokratike në Gjykatën Kushtetuese, u shpreh se nuk ka arsye që shoqata t’i drejtohet Kushtetueses para se të shfrytëzojë rrugët e tjera ligjore. Ai theksoi se dekreti i presidentit Ilir Meta, është nën ligjet. “Nuk mund të ketë shoqatë, që sjell zgjedhjet në kushtetuese pa shfrytëzuar rrugët e tjera. Gjykata Kushtetuese nuk është mjet alternativ duhet të ishin shfrytëzuar rrugët e tjera ligjore. Këtu nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e organeve të caktuara. jemi të mendimit që gjykata nuk mund të shqyrtoj këtë vendim. Dekreti i presidentit është mbi apo nën ligjet?? Ne gjykojmë se është nën ligjet. Në çdo rast dekreti i presidentit duhet të ketë hierarkinë e akteve dhe kushtetutës. A është në të drejtën e presidentit të shmangin ligjet, dhe nuk ka tagra që t’i shmangi ligjet. Presidenti nuk ka vepruar në parim me kushtetutën. Institucionet e tjera ecën duke zbatuar vendimin e gjykatës kushtetuese”, tha ai.







































