Ambasada amerikane në Tiranë duket se ka dhënë një mesazh të qartë ditët e fundit për fatin e ish-kryeministrit Berisha. Ky i fundit i ka shpallur luftë Uashingtonit pas shpalljes “non grata”, por duket se nuk do e ketë aq të lehtë të ngatërrohet me amerikanët. Gazeta shkruajti një ditë më parë se si ambasada amerikane përkujtoi vizitën e ish-Sekretarit të Shtetit, James A. Baker në vitin 1991 në Shqipëri, por në foton që hodhi në rrjetet sociale ishte “zhdukur” Berisha. Ky i fundit shprehet se ai erdhi me kërkesë të tij, por ambasada jo vetëm që nuk e përmend Berishën, por e ka hequr nga fotot. Mediat pranë tij e kanë cilësuar si retushim. Por a ishte ky postim i ambasadës një mesazh për Berishën? Dyshimet janë se ishte një sinjal se ai nuk do të lejohet të jetë më protagonist i jetës politike. Berisha ka deklaruar se do të jetë 3 herë më aktiv, por kur SHBA të “zhduk” nga axhenda e saj, është mesazh i qartë se do jetë e vështirë të bësh karrierë politike. Heqja e tij nga fotot ishte një mesazh i qartë se ai do të asgjësohet edhe politikisht.
Vijojnë sulmet
Si duket ish-kryeministri e ka kuptuar mesazhin dhe dy ditët e fundit ka nisur sulmet. Dje Berisha ka vijuar me të njëjtën linjë, duke postuar fjalën e Sekretarit Baker, ndërsa specifikon se ai ka deklaruar që ftesa ishte e presidentit Berisha. “Fjalimi i plotë i Sekretarit Baker mbajtur në Kuvendin Popullor me 22 qershor të vitit 1991 sipas publikimit në shtypin e kohës! Beker para shqiptarëve: Doktor Berisha më ftoi të vizitoja Shqipërinë dhe unë erdha sa më shpejt kisha mundësi”, shkruan Berisha. Ndërkohë në sulm janë hedhur edhe mediat pranë tij, por një reagim ka pasur edhe nga Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit. “Retushimet e fotove, ndryshimin e historisë sipas interesit & fallacy of misplaced correctness i dinim komuniste – qenkan dhe Sorosiste”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. Edhe media pranë ish-kryeministrit kanë vijuar dje me sulme ndaj ambasadores, duke e krahasuar me Enver Hoxhën, pasi sipas tyre, ai hiqte nga fotot ata që më vonë i kishte shpallur armiq.
Reagimi i ambasadës
Të mërkurën ambasadorja Kim postoi disa foto nga vizita dhe fjalimi që zyrtari amerikan mbajti para qytetarëve të Shqipërisë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa Berisha që asokohe ishte lideri opozitës nuk shihet gjëkundi në foto apo të përmendet si protagonist. “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”, tha Baker në fjalimin e tij historik që mbajti. Po ashtu, ambasadorja Kim theksoi se qysh në atë kohë deri sot, SHBA-të kanë marrëdhëniet të mira me Shqipërinë. “Pikërisht 30 vjet më parë, Sekretari i Shtetit Baker qëndroi me popullin shqiptar në sheshin “Skënderbej” dhe tha: “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju.” Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë dhe ne jemi përsëri në një pikë kthese, por një gjë mbetet e njëjtë: Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”, shkruan Kim krahas fotos së Baker.








































