TKOB: “Pranvera” opera e dytë shqiptare, premierë në 1960

0
343

Opera “Pranvera” e kompozitorit Tish Daija u shfaq në skenën tonë, në qershor të 1960. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka publikuar një material dhe shkruan se me këtë vepër i prezantohen publikut dhe dy emra regjisorësh të asaj kohe. “Është opera e dytë shqiptare premiera e së cilës u shfaq më 12 qershor 1960. Për herë të parë i prezantohet publikut të kohës emra të rinj regjisorësh si Jorgjia Bitri dhe Mihal Luarasi”, shkruan TKOB. Kompozitor Tish Daija, libreti Llazar Siliqi, regjisor Jorgjia Bitri dhe Mihal Luarasi, piktor Shadan Toptani, dirigjent Simon Gjoni, mjeshtër kori Kostandin Trako, koreograf Agron Aliaj. Në rolin e Dritës ishin Nina Mula, Dhimitra Keta, Jorgjia Misja; në rolin e Sazanit Ibrahim Tukiçi, Gjoni Athanas, Stavri Rafael; Ivani: Avni Mula, Ramiz Kovaçi; Xhevdet Beu: Maliq Herri, Zihni Berati; Mirushi: Rozmari Jorganxhi, Tefta Çavo; babai i Dritës: Hysen Pelinku, Mentor Xhemali, Lukë Kaçaj; nëna e Mirushit: Jorgjia Velo, Rozmari Jorganxhi; Hermani: Kristaq Antoniu. Tish Daija (Shkodër, 30 janar 1926 – 3 tetor 2003) ka qenë kompozitor dhe muzikant shqiptar. Lindi në Shkodër në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova. Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, etj. Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit”, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here