FBI zbarkon në Byronë e Hetimit/ Këtë javë agjentët amerikanë nisin trajnimin për të shkuar te zyrtarët e lartë, hetuesit mbyllin “misionin” në Itali

0
210

Agjentët e FBI do të marrin këtë javë frenat e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Javën që lamë pas 27 hetues ishin në Itali ku iu nënshtruan për 7 ditë një trajnimi nga Antimafia Italiane kryesisht në fushën e trafikut të narkotikëve dhe krimit të organizuar. Por këtë javë ata do i nënshtrohen një trajnimi gati 4 javor nga ekspertë të FBI. Një gjë e tillë u konfirmua pak ditë më parë dhe nga kreu i SPAK, Arben Kraja. Sipas tij, plani është që Byroja Hetimore të jetë gati në gusht dhe për këtë arsye gjatë qershorit dhe javëve të para të korrikut në Akademinë e Policisë përfaqësues të FBI, por dhe të ambasadës amerikane do të asistojnë hetuesit e rinj se si të shkohet te korrupsioni i nivelit të lartë, si të gjurmohen paratë dhe si të goditen bandat e armatosura. Po ashtu do të ketë trajnime për armët, përgjimet dhe elemente të tjerë të rëndësishëm. Pak muaj më parë Departamenti Amerikan i Drejtësisë dha detaje mbi procesin e trajnimit nga FBI. “ICITAP projektoi dhe mbështeti direkt procesin e përzgjedhjes së hetuesve dhe do të drejtojë trajnimin 16-javor të tyre. Ky trajnim do të përfshijë, një trajnim 4-javor të siguruar nga FBI bashkë me Divizionin Ndërkombëtar të Operacioneve të FBI-së dhe Divizionin e Trajnimit / Quantico. Përafërsisht 600 aplikantë për hetues ju nënshtruan një procesi rigoroz përzgjedhjeje, të përbërë nga teste të aftësisë fizike, provime me gojë dhe me shkrim, verifikime të pasurive dhe kontrolle të integritetit, duke përfshirë poligrafinë. Në fund vetëm 28 u përzgjodhën nga një komision me prokurorë dhe gjykatës, për të vijuar më tej me trajnimin. Në Shqipëri, ICITAP punon me mbështetjen dhe në koordinim me Byronë e Departamentit të Shtetit për Narkotikët Ndërkombëtare dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit”, thuhej në njoftim.

Detajet e trajnimit

Nëse futemi te faqja zyrtare në internet e akademisë së FBI në Virxhinia, tregohen detaje se si bëhen trajnim të zyrtarëve të ndryshëm nga shtetet partnere, përfshirë dhe Shqipërinë. “Temat e zgjedhura për programin e trajnimit për drejtuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit përfshijnë: tendencat e politikës, ekonomisë dhe faktorëve socialë kombëtarë e ndërkombëtarë që ndikojnë në funksionimin e policisë; etika dhe integriteti; rekrutimet në punë, ryshfeti dhe politikat promovuese; marrëdhëniet me median; marrëdhëniet e punës; financimi i operacioneve policore; trajnime për çështjet ligjore dhe ndikimi i veprimtarisë kriminale në polici”, thuhet në dokument. Ekspertët e FBI amerikane do të synojnë t’i përgatisin hetuesit tanë të BKH që një vëmendje të veçantë t’i kushtojnë edhe korrupsionit. Përmes programeve të trajnimit, anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të mësojnë sesi të bien në gjurmët e parave të korrupsionit dhe ta luftojnë këtë fenomen në tërësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here