Margariti njofton restaurimin e mozaikut “Shqipëria”/ Anastas Kostadini: Nuk dimë në çfarë mënyre do të ndërhyhet, duhet kujdes

0
443

Në vitin 2010 u fol për një projekt, që do të vijonte me restaurim të mozaikut “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar. Ndër vite apeli i artistëve të ndryshëm dhe autorëve në drejtim të Ministrisë së Kulturës ka qenë për restaurimin e veprës, për ta shpëtuar nga degradimi. Jo pak herë është folur për këtë vepër arti që mban emrin e autorëve të njohur Josif Dobroniku, Vilson Kilica, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Por dje ministrja e Kulturës Elva Margariti pohoi se në fillim të muajit maj do të nisë puna për restaurimin e mozaikut. “Programi EU4CULTURE gati për të ngritur kantieret e para. Gjatë takimit të radhës së këshillit drejtues të programit vendosëm për afatet e fillimit të punimeve. Dhe sot kemi një lajm të mirë! Në fillim të muajit maj fillojnë punimet për restaurimin e mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, për të vijuar me restaurimin e kishës së Shën Marisë në Rubik dhe kishës së Shën Ndojit në Kepin e Rodonit”, shkruan ministrja, në një status të saj në Facebook. Piktori i njohur Anastas Kostandini si një nga autorët e veprës e mirëpret këtë lajm, që bëri me dija ministrja e Kulturës. Por ai thotë se duhet të tregohet shumë vëmendje në ndërhyrjen, që do ti bëhet mozaikut në MHK. “Një deklaratë siç jepet në ditët e fundit të fushatës elektorale, por po e pranojmë që është një lajm i gëzueshëm dhe i mirë. Pas një zgjatje deri në kufijtë e padurimit e deri atje ku nuk mban më në fund ka një lajm, që do nisë restaurimi. Prononcimi tjetër i imi është, që unë mbase edhe kolegu im Aleksandër Filipi nuk dimë gjë. Nuk kemi ide në çfarë mënyre ose nuk është na bërë me dije, por dhe me parë nuk kanë komunikuar me ne për teknikalitete që lidhen me mozaikun, sepse ne jemi ata që e kemi realizuar dhe montuar. Në lidhje me mozaikun dhe restaurimin e tij ka disa pyetjeje. Ne nuk dimë se çfarë mënyre do të restaurohet dhe kush do ta restaurojë”, shprehet piktori i njohur Kostandini.

 Mozaiku në Tiranë 

Si një nga autorët e veprës piktori Anastas Kostandini shprehet se në funksion të mozaikut e vetmja gjë që i intereson është që të vazhdojë jetën dhe të rrijë në qendër të Tiranës, sepse është një mrekulli, një gjë e bukur. Por piktori Kostandini shprehet me kritika për Ministrinë e Kulturës, që nuk diskutoi njëherë si duhet me autorët e veprës. “Mendoj që në ministri janë jashtëzakonisht të pakomunikueshëm, ndoshta iu duket e tepërt që të komunikojnë ose mendojnë se nuk kanë çfarë ndajnë me ne. Por mendoj që nuk është kështu, sepse ata që do ta restaurojnë duhet të dinë shumë gjëra në lidhje me montimin që i është bërë mozaikut dhe të tjera, që dëshmitarë jemi ne si autorë të veprës. Mund të ketë lloj- lloj mënyrash që mund të restaurojnë dhe negative”, shprehet ai. Në reagimin e tij piktori Anastas Kostandini tregon se më parë dikush që ka drejtuar IMK i ka telefonuar dhe e ka pyetur për mozaikun “Shqipëria”. Kostandini thotë se për këtë proces ka një pikëpyetje të madhe. “Unë di të them që një person i rëndësishëm dhe një ish drejtues i IMK më ka marrë në telefon dhe më pyeti diçka mbi teknikën, që ne kemi përdorur në  montimin e mozaikut. Sipas tij, një ide është që të çmontohet i tëri, por që për mendimin tim është e pamundur. Siç e kemi montuar ne vite më parë është e pamundur dhe është një mënyrë për ta shkatërruar atë. Nuk mund ti heqësh dot gurët një për një dhe ta montosh sërish një për një. Kjo është arsyeja pse unë them që ne nuk kemi dijeni si autorë për çfarë do të bëhet. Unë si autor kam rezervën time dhe një pikëpyetje të madhe”, pohon Kostandini, që herë pas here ka bërë apel për restaurimin e veprës për të ndaluar shkatërrimin e saj. Mozaiku ka një sipërfaqe prej rreth 440 metrash katrorë, me përmasa 40 x 11 metra. Mozaiku Shqipëria është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Ai u përurua bashkë me muzeun në vitin 1981.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here