Google search engine
Home Politike Drejtesi Skandali i korrupsionit, Apeli i Posaçëm liron nga qelia mjekun Edvin Prifti,...

Skandali i korrupsionit, Apeli i Posaçëm liron nga qelia mjekun Edvin Prifti, mbetet në burg gjyqtarja Enkeleida Hoxha

0
279

Gjykata e Posaçme e Apelit ka liruar nga qelia mjekun Edvin Prifti, i cili disa ditë më parë është arrestuar, pasi akuzohej për afera korrupsioni ku gjatë kontrollit në banesë dhe në zyrë iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme lekësh, e cila kapte vlerën prej 380 mijë eurosh. Bëhet me dije se ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, teksa vazhdon të jetë i pezulluar nga detyra. Ndërkohë për gjyqtaren Enkeleida Hoxha, e cila gjithashtu akuzohet për afera korrupsioni, Apeli ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg”. Sakaq edhe për avokatin A. Tabakun, sekretaren M. Mallakuçi dhe 7 të pandehurit e tjerë është lënë gjithashtu në fuqi masa e sigurisë “Arrest me burg”. Më herët gjyqtarja ka kërkuar ndryshimin e masës, por dje Apeli i Posaçëm ka vendosur ta lërë atë në “Arrest me burg”. Ndërkohë kujtojmë se disa ditë më parë mjeku kardiolog Edvin Prifti kërkoi në gjykatë që t’i kthehen lekët e sekuestruara në banesë, me pretendimin se janë kursime familjare, të ligjshme. “T’i kthehen Enida Priftit të hollat e sekuestruara në çantën e të hetuarit dhe në banesë, sepse nuk janë prova materiale ose sende që lidhen me veprat penale për të cilat ai hetohet, por pjesërisht pasuri e ligjshme që buron nga një marrëdhënie juridike civile dhe diferenca eventuale, kursime familjare për të cilat nuk ka pengesë ligjore të mbahen në banesë”, thuhet në kërkesën e tij për Gjykatën e Apelit. Nga ana tjetër, sa u përket parave të gjendura në shtëpi e në zyrë, mësohet se janë pyetur bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, por këto të fundit kanë thënë se këto para nuk janë nxjerrë prej tyre. Nga sa raportohet, ka qenë gruaja e mjekut që ka deklaruar se paratë ishin të sajat dhe se i kishte përfituar nga një kontratë shit-blerje që nuk ishte noterizuar ende. Megjithatë prokuroria disa ditë pas arrestimit për hetuesi sekuestroi edhe një bllok me shënime të emrave të pacientëve dhe shumave të parave që ka marrë nga secili prej tyre. Mësohet se në këtë bllok shumat e shënuara variojnë nga 1 mijë deri në 10 mijë, por nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për lekë apo euro. Emri i kardiologut doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës. Mjeku Prifti dyshohet të ketë marrë ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, M. Mallakuçi për t’i operuar nënën.
Arrestimi i gjyqtares
 Arrestimi i gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha është bërë pas hetimeve nga prokuroria, për të cilën ajo akuzohet se ka liruar shumë të dënuar, mes tyre E. Dokle dhe G. Tafili, teksa prangat iu vunë në sallën e gjyqit ku pritej të lirohej një tjetër i dënuar, S. Petani. Në këtë akt kriminal bën pjesë edhe kryesekretarja M. Mallakuçi, avokati A. Tabaku dhe mjekë, të cilët dyshohet se kishin krijuar një skemë të mirëfilltë për lirimin e të dënuarve. Sipas hetimeve kryesekretarja e Gjykatës së Krujës M. Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit S. Petani, i cili priste të lirohej nga Enkeleida Hoxha, por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë euro dhe 16 mln lekë cash në zyrë e shtëpi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here